Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi në rrjet u publikua një video erotike, e simuluar nga inteligjenca artificiale, sikur personazhi ishte ajo.
Meloni do të paraqitet në gjykatë në qytetin Sassari të Sardenjës më 2 korrik. Një 40-vjeçar, i cili besohet se ka bërë videot, dhe babai i tij 73-vjeçar janë nën hetim.
Policia tha se mundi t’i gjente duke gjurmuar pajisjen celulare të përdorur për postimin e videove. Të dy personat akuzohen për shpifje. Sipas aktakuzës, videot janë postuar në një uebsajt porno në SHBA, ku janë parë “miliona herë” gjatë disa muajve.
Ekipi ligjor i Melonit tha se nëse kërkesa e saj për kompensim është e suksesshme, do të dhurojë 100,000 euro në një fond për të mbështetur gratë që kanë qenë viktima të dhunës me bazë gjinore.
Avokati i Melonit tha se shuma ishte “simbolike” dhe kërkesa për kompensim kishte për qëllim “t’i dërgonte një mesazh grave që janë viktima të këtij lloj abuzimi me pushtetin që të mos kenë frikë të ngrisin akuza”. Videot e Deepfake të Melonit datojnë që para se të emërohej kryeministre në 2022.