Ballina Top Lajm BDI i harroi edhe premtimet për investimet në Kalanë e Tetovës

BDI i harroi edhe premtimet për investimet në Kalanë e Tetovës

Premtimet parazgjedhore të vitit 2020 të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për investimet në Kalanë e Tetovës nuk u realizuan. Të pyetur nga Portalb.mk se pse nuk i kanë realizuar këto premtime, BDI hesht.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, te prioritetet në kulturë, konkretisht në faqe 155 te investimet kapitale në kulturë, kultivimi dhe ruajtja e trashëgimisë së patundshme kulturore përmendet Kalaja e Tetovës.

“Investime në Kalanë e Tetovës ku do të bëhet rikonstruimi, konservimi, restaurimi dhe revitalizimi i saj”, thuhet në programin e BDI-së.

Katër vjet më vonë, këto premtime mbeten të parealizuar, ndërsa BDI hesht në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse nuk e realizoi këtë premtim të programit të tyre.

Sot Kalaja e Tetovës vazhdon të mbetet një vend i braktisur, pa përkujdesje si dhe i lënë në harresë në vend se të ishte një lokalitet turistik atraktiv.

Kalaja është e dëmtuar dhe e shkatërruar në shumë vende, nuk ka ndriçim, infrastrukturë e dobët, aty shihen mbeturina, qen endacak, kafshë që kullotin dhe të tjera. Ndërsa problem tjetër janë edhe gërmuesit ilegal që kërkojnë ar apo diçka tjetër me vlerë historike. Muret e kalasë janë të dëmtuara edhe nga brenda si dhe me mbishkrime të ndryshme. Edhe rruga që të çon nga qyteti deri në Kala nuk është e mirë.

Kalaja e Tetovës. Foto: Portalb.mk/arkivKalaja e Tetovës. Foto: Portalb.mk/arkivKalaja e Tetovës. Foto: Portalb.mk/arkivKalaja e Tetovës. Foto: Portalb.mk/arkiv

Institucionet nuk e vrasin fare mendjen që t’i rikthejnë shkëlqimin këtij lokaliteti historik e kulturor, por e kanë lënë në harresë.

Së fundmi për këtë problem reaguan edhe nga Organizata joqeveritare për mbrojtje dhe konservim të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe promovimin e kulturës “HUTA” – Tetovë, ata kërkuan nga institucionet kompetente që kalaja të jetë funksionale, edhe atë: të vendoset ndriçim, roje, kamera sigurie, të ndërpriten gërmimet e paligjshme dhe shkatërrimet e mëtejme të kalasë, zgjerim i rrugës deri te kala, linjë e rregullt transporti, vazhdim të punëve arkeologjike, konzervim dhe restaurim i po të njëjtës.

Kujtojmë që edhe në të kaluarën BDI ka pasur premtime për Kalanë e Tetovës, por pa rezultat.

Përndryshe, Kalaja e Tetovës u ndërtua në vitin 1820, nga ana e Abdurahman Pashës. Sipas disa të dhënave gojore thuhet se fillimin e ndërtimit të këtij monumenti e nisi Rexhep Pasha i ati i Abdurahman Pashës dhe ndërtimi i saj zgjati afër 20 vjet. Pjesa e brendshme ka pesë saraje, kuzhina të mëdha, banja dhe një pus në mes të kalasë. Paraqet një ndikim të dukshëm të arkitekturës Osmane. Gjatë luftërave të ndryshme ajo pësoi rrënime të shumta.