Ballina Aktualitet Lajme 12 vjet pa Profesorin tonë të dashur Kasamedin Abdullahu!

12 vjet pa Profesorin tonë të dashur Kasamedin Abdullahu!

IN MEMORIAM
Prof.dr. Kasamedin Abdullahu
(1962-04.04.2012)

U mbushën plotë 12 vjet të ndarjes nga ne të Profesorit tonë të dashur Kasamedin Abdullahu.

Profesor Kasamedini ishte njëri ndër figuart kryesore të themelimit të Universitetit të Tetovës në vitin 1994, dhe padyshim në atë kohë dhe ato rrethana, ishte Alfa dhe Omega e Degës së Biologjisë dhe FSHMN-së të këti universiteti.

Sot kur ne festojmë 30 vjetorin e misionit të themelimit të Universitetit të Tetovës, me plotë bindje themi se Profesor Kasamedin Abdullahu, bashkë edhe me disa figura të rëndësishme të universitetit, ishte njëri ndër misionarët e arsimit sipëror të shqiptarëve dhe të universitetit të parë në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Duke patur përvojën e pashoq shumëvjeçare si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, Profesor Kasamedini dha kontribut të pakrahasueshëm për Universitetin e Tetovës, qoftë në aspekt arsimoro-shkencor, por edhe në atë motivues dhe përkrahës të parezervë, sidomos për FSHMN dhe Degën e Biologjisë të këti universiteti.

Ai krahas obligimit si mësimdhënës i kalibrit të lartë në Degën e Biologjië, ishte edhe njëri nga përkushtuesit dhe nxitësit e mbajtjes së rregullt të ligjeratave dhe të ushtrimeve në Degën e Biologjisë, duke u angazhuar për gjithëçka që kishte nevojë për realizimin e këti obligimi, qoftë në aspektin teknik, material, por edhe në aspekte tjera përkrahëse si një urë lidhëse midis studentëve dhe profesorëve, e sidomos të atyre që vinin nga Prishtina, por edhe si një garancë e fuqishme për akomodimin, mbrojtjen dhe bartjen e nevojshëm të tyre në Universitetin e Tetovës.

Pra, që nga fillimet e themelimit të Universitetit të Tetovës, ai me përvojën e tij menaxhuese dhe me dëshirën e madhe për të vënë themele të shëndosha të FSHMN-së dhe Degës së Biologjisë, u përkushtua maksimalisht për të thirrur dhe për të angazhuar si ligjërues shumë profesorë eminentë nga Universiteti i Prishtinës, duke u përkujdesur edhe për qëndrimin dhe banimin e tyre gjatë ditëve që mbanin ligjerata, prandaj edhe shpesh herë, shtëpia e tij ishte bujtina e shumë profesorëve që vinin nga Prishtina, ku përveç mikpritjes dhe ngrohtësisë që u ofronte, me ta diskutonin vazhdimisht edhe për mbarvajtjen e mësimit në Degën e Biologjisë dhe strategjinë e zhvillimit të metejshëm të kësaj Dege dhe jo vetëm.

Me altruizmin e tij të pashoq i ndihmonte edhe studentët e atëhershëm që kishin nevoja të ndryshme, duke mos e kursyer edhe mirqenien e familjes së tij, dhe në rrethanat e atëhershme të fillimeve, mbështetja e tij për studentët ishte e parreshtur dhe e pashterrur si një ombrellë që vazhdimisht qëndronte e hapur dhe strehonte nevojat dhe brengat e ndryshme të studentëve të Biologjisë dhe jo vetëm. Për këtë sidomos ne ish studentët e gjenaratës së parë të Degës së Biologjisë, i detyrohemi shumë kontributit të pakursyer të Prof. KASAMEDINIT.

Edhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur qindra mijëra familje me dhunë u dëbuan nga Kosova, Profesor Kasamedini u angazhua maksimalisht, fillimisht për strehimin dhe përkujdesjen e Profesorëve nga Kosova dhe familjeve të tyre, si në shtëpinë e tij, të vëllezërve të tij, të farefisit, të miqëve dhe të shokëve të shumtë që i kishte, por edhe në kordinimin e mbajtjes së lidhjeve familjare midis tyre e sidomos në rastet kur anëtar të famijeve të tyre ishin të shpërndarë në vende, kampe refugjatësh, fshatra apo qytet të ndryshme dhe shpesh herë nuk e dinin fare se ku ndodhen, kanë mbetur gjallë apo jo.

Edhe në periudhën e pasluftës në Kosovë dhe në Maqedoni, Profesor Kasamedini, vazhdoi me elanin e tij arsimoro-shkencor, para së gjithash si mësimdhënës i pashoq dhe si një idhëtar i vendosur raujtjes dhe ngritjes së cilësisë së mësimdhënies në Degën e Biologjisë.

Udhëhoqi me qindra diplomantë dhe dhjetra magjistrantë si në Universitetine Prishtinës, ashtu edhe në Universitetin e Tetovës dhe pas vetes la një plejadë të diplomuarish në këto dy universitete dhe sidomos la frymën e shëndoshë historike të funksionimit dhe të zhvillimit të Degës së Biologjisë në Universitetin e Tetovës.

Sot edhe pas 12 viteve, edhe pse në Katedrën e Biologjisë akoma ndjehet mugesa e tij dhe humori i tij kolegial, ne ish studentët e tij, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, e kujtojmë me shumë mallë dhe me respektin më të lartë për kontributin e tij në themelimin, zhvillimin dhe ecjen përpara të Degës së Biologjisë, të Universitetit të Universiteti i Tetovës – UT, si në aspektin e krijimit të kuadrove të reja ashtu edhe në aspektin e ruajtjes së frymës prosperuese dhe bashkëpunuese shumëdimensionale në këtë institucion të lartë arsimor të parin në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Lavdi, punës dhe veprës së Prof.dr. Kasamedin Abdullahut!

Zoti e begatoftë familjen dhe pasardhësit e tij ndër breza!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!

E përkujtojmë me shumë mallë, dhimbje dhe shumë respekt!

(Doc. dr. Sheval Memishi)

@tn.lajmelokale
@tetovanews