Ballina Aktualitet Kultura LAJM I TRISHTË/Iku në amshim poetja Lindita Ahmeti, sot do t’i jepet...

LAJM I TRISHTË/Iku në amshim poetja Lindita Ahmeti, sot do t’i jepet lamtumira e fundit

Ka ndërruar jetë në moshën 50 vjeçare poetja Lindita Ahmeti. Lajmin e trishtë e njoftoi babi i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti përmes një postimi në Facebook, transmeton Portalb.mk.
“Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”, shkroi mbrëmë Ahmeti.

Varrimi i saj do të bëhet sot, ndërkaq e pamja fillon poashtu prej sot e deri të premten, me 11 prill.

“Varrimi i Linditës sonë do të bëhet sot pas namazit të ikindisë. Ceremonia e përcjelljes do të bëhet nga xhamia e Bedrit në Butel – Shkup. Ndërkaq e pamja do të bëhet nga dita e sotme (e martë – 9 prill) deri të premten (11prill) pranë banesës së familjes – te “FUGA” në lagjen Shkup Veri”, njoftoi sot babai i saj Xhabir Ahmeti,

Lindita Ahmeti ishte lindur në Prizren më 26 prill 1973. Pasi kreu shkollën e mesme në Shkup, studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit.

Ahmeti ka ligjëruar letërsinë antike në Universitetin e Tetovës, ndërsa ka punuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Ka shkruar poezi në gjuhën shqipe dhe maqedonase që nga fillimi i viteve të ’90-ta. Ka botuar disa vëllime me poezi.

Poetja Linditë Ahmeti, në vitin 2016 erdhi me librin poetik “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”, që e botoi Portalb.mk.
Libri i saj u mirëprit nga qarqet letrare, të cilët e vlerësuan si “mrekulli estetike”, “lirikë e përshpirtshme”, “libër që imponon vlera të reja në letërsinë shqipe”, “lirë e veçantë e letërsisë shqipe apo “metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë”.

Libri u nderua edhe me çmimin për libër më të mirë të vitit për letërsi në vitin 2016.

Ajo është nderuar edhe me çmimet:
Çmimi për librin më të mirë në gjuhën shqipe për përmbledhjen Mjedra dhe bluz (1993)
Çmimi për poetin më të mirë të vitit që e ndan PEN- shqiptar – Tiranë (2013)
Çmimi për librin e vitit për përmbledhjen Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim (2015)
Çmimi i madh shtetëror për vepër jetësore “11 Tetori” për vitin 2023
Lindita është vajza e shkrimtarit, profesoritXhabir Ahmeti, si dhe motra e aktorit Luran Ahmeti, i cili ndërroi jetë në vitin 2021.

@tn.lajmelokale
@tetovanews