Ballina Bota Kancelari gjerman: Presim që Mali i Zi të hyjë në BE brenda...

Kancelari gjerman: Presim që Mali i Zi të hyjë në BE brenda katër viteve të ardhshme

Kancelari gjerman Olaf Scholz bashkë me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajić, diskutuan sot në Berlin për përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Scholz theksoi se Mali i Zi ka demonstruar përpjekje të rëndësishme dhe të vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët, duke e bërë këtë vend një kandidat të fortë për anëtarësim në BE, shkruan DW.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Scholz deklaroi se “asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian siç është rasti me Malin e Zi,” duke iu referuar reformave të fundit që ky vend ka ndërmarrë. Kancelari gjerman shtoi se është realiste të presim që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së brenda katër viteve të ardhshme, duke vlerësuar lart përpjekjet e vendit për të plotësuar kriteret e nevojshme.

“Asnjë nga vendet e shumta që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk do të anëtarësohet vetëm për arsye gjeopolitike. Duhen plotësuar edhe parakushtet e BE në lidhje me shtetin e së drejtës, demokracinë, ekonominë e tregut dhe bashkëjetesën sociale. Jam i impresionuar me ambicien dhe shpejtësinë. Mendoj se kjo është një ambicie realiste dhe ne duhet të ofrojmë të gjithë mbështetjen për këtë”, tha kancelari gjerman.

Takimi mes dy liderëve shërbeu edhe për të thelluar marrëdhëniet bilaterale, ku u diskutuan marrëveshje të ndërsjella si njohja e patentave të shoferëve dhe bashkëpunimi kulturor.

Scholz theksoi gjithashtu rëndësinë e Mali i Zi si një faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Spajiç ndodhej në vizitën e tij të parë në Berlin. Të premten ai pati disa takime në parlamentin gjerman, Bundestag, si edhe me kreun e partisë më të madhe të opozitës, CDU/CSU, Friederich Merz.