Me shtetësi shqiptare dhe emrin e vërtetë Adelisa, Lisa vetëm 9 vjeç duhet të deportohet në një jetimore në Shqipëri sipas Migrationsverket edhe pse ajo di të flasë vetëm suedisht.
Lisa nëntë vjeçare ka lindur në Suedi dhe prej pesë vitesh jeton me një familje suedeze. Por tani ajo do të deportohet në një jetimore në Shqipëri, edhe pse kujdestaria e saj është në familjen Backström e cila përbëhet nga Hans dhe Paulina të ndodhur në një zonë në daljë të Lindköping.
“Ndonjëherë ndihem sikur do mundem të qëndroj këtu. Është e vështirë të mendosh për këtë”, thotë Lisa.
Gjendja mendore e nënës së saj biologjike nuk është e mirë dhe do të thotë se ajo nuk është në gjendje të kujdeset për të. Babai biologjik i saj nuk dihet nga autoritetet.
Vajza mund të flasë vetëm suedisht por përpos kësaj duket se Migrationsverket tashmë e ka marrë vendimin për të deportuar në një jetimore në Shqipëri vajzën vetëm 9 vjeç.
“Do të ishte një fatkeqësi”, thotë Paulina Backström, e cila mori kujdestarinë e Lisës vitin e kaluar.
“Ajo nuk ka njeri atje. Ne jemi familja e saj, siguria e saj. Do të ishte një traumë e madhe. Dhe ajo nuk di shqip. Ajo as nuk kupton e as nuk flet shqip”.
Nëna biologjike e Lisës, e cila është nga Shqipëria, gjithashtu është refuzuar të marrë lejeqendrim në Suedi dhe tani po kërkon azil në një vend tjetër europian. Ajo i thotë TV4 Nyheterna se dëshiron që vajza e saj të qëndrojë me familjen Backström, ku ajo është e sigurt dhe merr dashuri.
Por Agjencia Suedeze e Migracionit beson se Lisa, me shtetësi shqiptare, emri i vërtetë i së cilës është Adelisa, duhet të deportohet në një vend ku ajo ka jetuar vetëm për disa vjet si fëmijë. Ajo u dëbua me nënën e saj herën e parë kur ishte rreth 2.5 vjeç. Por pas disa vitesh ata u kthyen sërish këtu, në Suedi.
“Nuk ka arsye të mjaftueshme, pasi legjislacioni është hartuar i tillë dhe nuk ka hapësirë që ajo të marrë një leje qëndrimi në Suedi”, thotë Jesper Tengroth, menaxher i shtypit në Agjencinë e Migracionit.
“Ajo është me shtetësi shqiptarë. Legjislacioni nuk është krijuar në mënyrë që të gjithë fëmijët e ardhur të kenë të njëjtat mundësi si fëmijët suedez. Nëse jeni nga një vend ku ka një mjedis të sigurt, duhet të jeni atje”, thotë Jesper.
Çiftit i është refuzuar gjithashtu kërkesa e tyre për të adoptuar Lisën. Gjykata e qarkut në Skaraborg beson, ndër të tjera, se kontakti me nënën biologjike do të vështirësohej nga një birësim. Në vendim thuhet gjithashtu se “mundësimi i lejes së qëndrimit nuk është bazë për birësim”.
Tashmë familja është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit, ku kanë bërë ankimim. Dëbimi është dashur të presë derisa të hetohet një vendim në lidhje me birësimin. Vendimi i Gjykatës së Apelit pritet çdo ditë. Nëse ka një jo, nuk do të kalojë shumë kohë dhe Hans dhe Paulina duhet ta çojnë Lisën në policinë kufitare në Goteborg, e cila do ta çojë në një aeroplan që shkon në Shqipëri.