Ballina Aktualitet U lirua gazetari Furkan Saliu: Nuk kam sulmuar policët, nëse kanë dëshmi...

U lirua gazetari Furkan Saliu: Nuk kam sulmuar policët, nëse kanë dëshmi le t’i nxjerrin (Video)

Gazetari Furkan Saliu u lirua nga stacioni policor pasi sot më herët gjatë ditës u arrestua. Sipas njoftimit të policisë, Saliu u arrestua pasi sot gjatë një ndeshjeje futbolli u përfshi në një përleshje dhe sulmoi policët. Por, Saliu thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se nëse ka bërë diçka të tillë, policia le ta dëshmojë me fakte, shkruan Portalb.mk.

Ai tha se ngjarja e sotme nuk duhet të shihet në vendet që pretendojnë të jenë shtete demokratike, dhe trego se shenjat në duart e tij janë prej dhunës së ushtruar ndaj tij nga Njësitit të Policisë për Intervenim të Shpejtë.

Saliu u prit me duartrokitje nga kolegët gazetarë para stacionit policor dhe sqaroi rrethanat në të cilat ndodhi rasti.

“I gjithë rasti ndodhi për shkak se një djalosh i ri i cili qëndronte anash kur filloi rrahja, qëndronim anash duke pasur veturat si mbrojtje që mos të përfshihemi edhe ne në atë rrahje, e kapën djalin dhe filluan ta rrahin pa asnjë arsye, e nxora telefonin që ta incizoj për shkak se pa arsye filluan ta godasin, dhe e dini më pas se çka ndodhi ma kapën telefonin, mos të incizoj”, tha Saliu.

Ai theksoi se pa prezencën e tij, në veturën e tij personale kanë bërë bastisje me qëllim që t’i fshijnë videot të arrestimit të tij dhe dhunës që e kanë përdorur ndaj tij.

“Pa prezencën time, pa urdhër të gjykatës është hapur vetura që është në emrin tim privat, ku është gjetur arma ime, arma ka qenë me leje dhe ka qenë sipas ligjit e lënë në gepek (bagazh)”, tha Saliu.

Ai u shpreh se nuk dëshiron të besojë se ky rast është i qëllimshëm dhe i planifikuar nga VMRODPMNE dhe se ende pa e mbaruar ai deklaratën në polici, ministri i Brendshëm që vjen nga VMRODPMNE doli me deklaratë.

“Ministri më gjykoi me status Facebooku se kam sulmuar policë, le ta provojnë le t’i publikojnë të gjitha videot dhe le ta dëshmojnë se unë kam sulmuar policë, unë prej nesër nuk e punoj këtë punë”, tha Saliu.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se sot (07.04.2024) rreth orës 17:00 në ndeshjen futbollistike në Konjare të Mesme, gjatë ndeshjes ndërmjet KF “BVK Konjare” dhe KF “Kumanova”, njëzet minuta para përfundimit të ndeshjes ka pasur tentim të publikut vendas të përleshjes me lojtarët mysafirë. Tentimi është parandaluar nga ana e shërbimeve të cilat kanë siguruar ndeshjen dhe e njëjta është ndërprerë.

“Gjatë intervenimit, nga ana e dy personave janë sulmuar pjesëtarët e Njësitit për Pozicionim të Shpejtë. Personat të cilët kanë kryer sulmin menjëherë janë arrestuar dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për F.S. (33) nga f. Haraçinë dhe N.J. (26) nga f. Haraçinë, kurse S.B. (40) është arrestuar për pjesëmarrje në përleshje”, tha MPB.

MPB informoi rreth orës 18:00, gjatë kontrollit të automjetit “Dacia duster”, pronë e F.S. kurse i drejtuar nga F.A. (34) nga f. Kondovë me bashkëudhëtarin A.R. (21) nga f. Kondovë, në bagazhin e automjetit është gjetur pistoletë.

“SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit”, thanë nga MPB.

Videoja e arrestimit të Saliut u shpërnda në rrjetet sociale dhe disa media online.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë , Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik si dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive (ASHMAA) apeluan që çështja të zbardhet menjëherë, të mos cenohen të drejtat e kolegut Saliu dhe të mos e përdorin partitë politike në betejat e tyre ditore politike dhe për qëllime partiake të fushatës zgjedhore.

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkoski përmes një reagimi tha se do të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“I kuptoj shqetësimet e Shoqatës së Gazetarëve dhe Sindikatës së Gazetarëve, por Ministria e Punëve të Brendshme duhet të trajtojë në mënyrë të barabartë këdo që sulmon një punonjës policie, sipas procedurave të përcaktuara ligjore….U bëj thirrje partive politike, shoqatave, sindikatave dhe të gjithë faktorëve të tjerë relevant që të përmbahen nga deklaratat dhe njoftimet që bëjnë presion mbi policinë dhe t’i lënë punonjësit e policisë të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa politikë dhe vetëm në përputhje me Ligjin”, tha Toshkovski.

Në lidhje me arrestimin e gazetarit reagime pati nga partitë politike dhe politikanë të ndryshëm.

@tn.lajmelokale
@tetovanews