Ballina Top Lajm Ndahet nga jeta shkrimtari Fadil Curri nga Shkupi

Ndahet nga jeta shkrimtari Fadil Curri nga Shkupi

Gjatë ditës së djeshme, në moshën 65 vjeçare jetë ndërroi shkrimtari i njohur nga Shkupi, Fadil Curri, përcjell TV21. Curri dha kontribut të madh në fushën e arsimit dhe letrave shqipe, duke lënë pas shumë vepra madhështore. Varrimi i të ndjerit bëhet sot, e diel (07.04.2024) në Varrezat e Butelit. Kufoma niset nga Xhamia e lagjes Dizhon pas orës 16:20.

Biografia

Fadil Curri u lind në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit (Kosovë) më 25 shtator 1959. Pas disa muajsh nga kjo datë familja e tij u shpërngul në Shkup, ku kreu shkollimin fillor, të mesëm dhe Fakultetin Filologjik – dega Gjuhë Shqipe e Letërsi. Qysh nga fëmijëria e tij shkruante poezi dhe i botonte në gazetat e shkollës dhe revistat e njohura letrare “Gëzimi” e “Fatosi” në Shkup.

Pati një jetë të bujshme. Si student ra në sy të organeve të ndjekjes në Shkup dhe familja e tij u bë objekt i bastisjeve të shumta policore, kurse vet shpesh thirrej në bisedë informative të policisë. Edhe gjatë shërbimit ushtarak jugosllav në Lubjanë pati krajata të pakëndshme, sa edhe e paraburgosën në kazermën e këtij qyteti për shkak të “tubimit të shqiptarëve”.

Në vitin 1998 policia maqedonase e ndaloi në pikën kufitare në Bllacë dhe pas 32 orësh izolim, e deportoi në Kosovë, duke e shpallur “person non gratta” për Maqedoninë dhe që 6 vjet e gjysmë nuk ia lejoi hyrjen në Maqedoni te shtëpia e familja e tij që i ka atje.

Fadil Curri pas diplomimit punoi kryeredaktor i gazetës “Sharri” në Han të Elezit, drejtor për kulturë në Kaçanik, kurse vitet e fundit është mësimdhënës i gjuhës shqipe e letërsisë.

Si gazetar i furnizonte faqet e letrare e informative të “Shkëndijës”, “Rilindjes” e “Flakës” së Prishtinës e Shkupit. Në kohën e komunizmit ballanik, agjencia shqiptare ATSH ia ripublikonte tekstet në gazetat, revistat e RTV e saja edhe në gjuhët e huaja, ku bënin fjalë për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavi.

Me pikëpamjet e veta publicistike në opinion njihet si demaskues i padrejtësive ndaj shqiptareve, sidomos në Maqedoni, qoftë përmes shkrimeve në gazeta e libra, qoftë përmes intervistave e komenteve të shumta nëpër gazeta, radio e televizion, kohët e fundit edhe në faqet sociale të internetit. Për këto qëndrime njihet që mbi gjysmë shekulli jeton në Shkup e që nuk i lejohet shtetësia e Maqedonisë. Bile, vitet e fundit policia maqedonase me vendim zyrtar ia refuzoi dhënien e shtetësisë, duke u arsyetuar profetikisht se “ Fadil Curri do ta rrezikojë Maqedoninë”, madje edhe duke ndërmarrë dis padi gjyqësore ndaj tij.

Në fushën letrare, Fadil Curri është autor i dhjetë librave të botuar, redaktor, recensent e lektor i dhjetëra librave letrarë e shkencorë. Deri sot ka këtë opus të publikuar libror:
A(H) FATI(H) ËNË NË PESHOJË” (Përmbledhje tekstesh udhëtimi nga Belgjika e Gjermania, biseda e shënime me të burgosur e të padrejtësuar dhe krimin në Bllacë të Shkupit nga çetnikët e komunistët), “KOHË QORRE – A BLIND TIME” (tufë poezish në shqip e anglisht), “KRONIKË PËR NJË DASHURI” (roman me dy botime), “MUZAT E HANPENCIT” (panoramë letrare shkollore e Hanit të Elezit), “TREGIME PËR FËMIJË” (përmbledhje tregimesh për fëmijë), “RINJOJA PAS VDEKJES NË… KOSOVË” (roman, vazhdim tematik i “Kronikë për një dashuri”), “KËSHTU MENDONTE, FLISTE E SHKRUANTE ADEM KASTRATI” (autobiografi dhe shkrime të tjera), “ATY KU U KALITËN KAMPIONËT” (monografi e historisë së mundjes në Han të Elezit), “ARKA E THESAREVE” (dramë e inskenuar dhe e shpërblyen në Festivalin dramatik të shkollave të Kosovës në Skenderaj, pastaj e botuar si libër), “HANI I ELEZIT LEKSIKOR ME FRAZEOLOGJI” (fjalë të shënuara nga kjo anë). “PALLË KRITIKE MBI QEPALLËN AGONIKE”, SHB “Shkupi”, Shkup 2015.

Fadil Curri ka marrë pjesë në shumë organizime letrare anekënd Shqiptarisë, ka marrë pjesë në disa takime e karvane shkrimtarësh në Kosovë e Maqedoni, debate shkencore, ka qenë pjesëmarrës në shumë konkurse letrare, nga juritë e të cilëve edhe është shpërblyer disa herë. Ishte edhe botues i revistës “E vërteta” në Shkup e Tetovë, Kaçanik e Han të Elezit.