Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:00, në aksin “Këlcyrë- Përmet”, ku një makinë e tipit “Benz” humbi drejtimin dhe ka rënë në anën e lumit Vjosa.
Nga ky aksident kanë humbur jetën 8 persona, 7 prej tyre dyshohet se ishin emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, dhe shoferi dyshohet nga Shkodra.
Nga fotot e marra në vendngjarje, makina shihet e shkatërruar plotësisht.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.
PAMJE TË RËNDA/ Momenti i nxjerrjes së kufomave të emigrantëve dhe shoferit shqiptar nga makina e shkatërruar buzë lumit Vjosa
Janë nxjerrë nga makina e shkatërruar trupat e pajetë të 7 emigrantëve të huaj nga Lindja e Mesme dhe të shoferit shqiptar.
Ata mbetën të vdekur nga një aksident i rëndë në orët e para të mëngjesit, ku shkak mendohet të jetë bërë shpejtësia e madhe e automjetit tip “Benz”, i cili ishte marrë me qira.
Dyshohet se shoferi ka pikasur forcat e policisë, është kthyer nga rruga drejt Përmetit dhe për shkak të shpejtësisë ka humbur kontrollin duke rënë në humnerë.
Sipas prokurorit Petrit Çano nuk janë zbuluar identitet e viktimave dhe pasi të bëhet kjo gjë do fillojë bashkëpunimi me ambasadat përkatëse.
Me mbi 200 km në orë, si “fluturoi” në ajër dhe përfundoi në lumë Benzi ku udhëtonin 8 viktima pasi i iku nga sytë patrullës!
Mjeti ku udhëtonin 8 viktimat në Këlcyrë raportohet se ishte marrë me qira. Ai drejtohej nga një qytetar nga Shkodra, i cili është pikasur nga një patrullë policie rreth orën 02:00 që i ka bërë thirrje të ndalojë.
Por shoferi i Benz-it, që udhëtonte me 7 klandestinë nga vendet e treta në makinë, ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë duke shtuar shpejtësinë.
Efektivët i janë vendosur në ndjekje, por më pas u ka humbur nga sytë. Pas shumë kontrolleve u verifikua rreth orës 04:00 se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.
Drejtuesi i mjetit raportohet se ka qenë duke udhëtuar me mbi 200 km/orë, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të “fluturonte” rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit.
Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i që drejtohej nga një person nga Shkodra, nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.