Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Francën, Serbinë dhe Hungarinë javën e ardhshme, ndërsa Pekini përpiqet të ketë një rol më të madh në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, i cili ka tronditur sigurinë politike dhe ekonomike globale.
Vizita e presidentit kinez, që është njëkohësisht edhe drejtues i Partisë Komuniste, është e para në pesë vite dhe “do të injektojë një ritëm të ri në zhvillimin paqësor të botës”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian gjatë një konference për shtypin të hënën.
Kina pretendon se është neutrale ndaj konfliktit në Ukrainë, por presidenti kinez Xi dhe presidenti rus Vladimir Putin deklaruan se dy qeveritë e tyre kanë një “miqësi pa kufij”, në ditët përpara se Moska të fillonte sulmin në Ukrainë në shkurt 2022.
Kina nuk pranon ta quajë sulm ushtarak ndërhyrjen ruse dhe është akuzuar se fuqizon kapacitetet financiare dhe teknologjike të Rusisë për të vazhduar prodhimin e armatimeve që përdoren kundër Ukrainës. Nga ana e saj, Ukraina është në pritje të dhjetëra miliarda dollarëve ndihma ushtarake për të përballuar agresionin e Rusisë.
Ministria e Jashtme kineze tha se vizita e zotit Xi do të fillojë në 5 maj dhe do të përfundojë në 10 maj, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Vizitat do të ndiqen me vëmendje në Uashington për shenja të mundshme të rënies së mbështetjes për objektivat kryesore të politikës së jashtme amerikane.
Presidenti francez Emmanuel Macron krijoi shqetësim në Uashington me një vizitë në Kinë vitin e kaluar, ku u shpreh se Franca nuk do të ndjekë verbërisht Shtetet e Bashkuara duke u përfshirë në kriza që nuk i interesojnë. Kjo deklaratë u pa si një referencë ndaj kërkesave të Kinës për një ribashkim me Tajvanin.
Kina ka ndërtuar marrëdhënie të forta me Serbinë, ndër të tjera edhe duke dërguar në mënyrë gjysmë-sekrete në vitin 2022 një sistem raketash kundërajrore në këtë ish-republikë jugosllave.
Qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban vonoi anëtarësimin e Suedisë në NATO për muaj të tërë. Zgjerimi i NATO-s është përshkruar nga Kina si një provokim që presidenti rus Putin të fillonte sulmin në Ukrainë.
Zoti Orban, një politikan i djathtë populist që ka krijuar lidhje të ngushta me Rusinë, ka thënë se kritikat për qeverisjen hungareze nga politikanët suedezë përkeqësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shkaktuan ngurrimin e ligjvënësve të partisë së tij Fidesz që të jepnin mbështetjen për futjen e Suedisë në NATO.
Vizitat bëhen pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua të premten me zotin Xi në Pekin dhe theksoi rëndësinë e “menaxhimit të përgjegjshëm” të diferencave mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndërsa ato kanë kundërshti për një seri çështjesh të nxehta dypalëshe, rajonale dhe globale.
Po të premten, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu përshëndeti bashkëpunimin ushtarak me Kinën gjatë një takimi me homologun kinez Dong Jun, në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Ai tha se bashkëpunimi është i rëndësishëm ndërsa “po shfaqen vatra të reja tensioni dhe po zgjerohen të vjetrat. Në thelb, ky është rezultat i aventurave gjeopolitike, veprimeve egoiste neo-kolonialiste të Perëndimit”./VOA/