Zi në Imathia për dy femrat, një 21-vjeçare shqiptare dhe një 68-vjeçare greke, të cilat humbën jetën mëngjesin e së hënës, në pritje të autobusit në stacionin Patridas në Veria, kur papritur një makinë e drejtuar nga një 64-vjeçar, hyri në drejtim të kundërt dhe u përplas me ta.
Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme 68-vjeçarja, e cila është hedhur rreth 25 metra larg, ndërsa 21-vjeçarja është dërguar e plagosur rëndë në spitalin e Verias, ku ka gjetur vdekjen më vonë. Dëshmitë e banorëve të zonës për ngjarjen tragjike janë tronditëse.
“Ne zbritëm dhe pamë se çfarë ndodhi. Kishte një zhurmë të madhe. Ishte si tërmet! Nuk ka fjalë, çfarë të them. Humbëm një nga fqinjët tanë më të rinj. Pashë makinën në oborrin tim dhe gruaja u hodh 25 metra. Nuk e pashë fare vajzën. Të dyja prisnin të shkonin në Veria. Shoferi tha se kishte marramendje”, tha një banor, duke përshkruar pamjet tronditëse që ka parë.
Në vendngjarje kanë qenë miqtë dhe kolegët e 21-vjeçares, të cilët dukshëm të tronditur nga ngjarja dhe me fjalët që u kanë dalë nga goja me vështirësi kanë thënë: “Vajza po priste këtu në stacionin e autobusit për të shkuar në spital për të parë tezen e saj. Ajo ishte duke studiuar për infermieri”. Shoferi 64-vjeçar, i cili dyshohet se nuk ishte mirë dhe për këtë ka humbur kontrollin e makinës, për pasojë ka shkuar në drejtim të kundërt dhe ka shkaktuar aksidentin, është arrestuar, por me urdhër verbal të prokurorit është lënë i lirë, ndërsa po trajtohet me plagë të lehta në spitalin e Verias.