Ballina Bota Rusia gjen një mënyrë për ta fajësuar ShBA-në për vdekjen e Raisit...

Rusia gjen një mënyrë për ta fajësuar ShBA-në për vdekjen e Raisit të Iranit

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duke e komentuar rrëzimin e helikopterit ku vdiq presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha të martën se sanksionet nga Shtetet e Bashkuara e kishin përkeqësuar sigurinë e aviacionit.

Mediat iraniane raportuan se fotografitë nga vendi i ngjarjes shfaqnin një helikopter të tipit “Bell 212”, prodhim amerikan, me të cilin Raisi po udhëtonte, i përplas në një majë mali, edhe pse nuk kishte deklarime zyrtare për shkaktarin e rrëzimit, raporton agjencia “Reuters”.

“Amerikanët e mohojnë këtë, por e vërteta është se shtetet e tjera ndaj të cilave Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione nuk pranojnë pjesë rezervë për pajisje amerikane, përfshirë aviacionin” – tha kryediplomati rus për rrëzimin e helikopterit në Iran.

“Po flasim për shkaktim të dëmit qëllimisht ndaj qytetarëve të rëndomtë që i përdorin këto automjete, dhe kur pjesët rezervë nuk ofrohen, kjo është drejtpërdrejt e lidhur me një rënie në nivelin e sigurisë”- shtoi ai.

Irani kishte qenë blerës i madh i helikopterëve të tipit “Bell” gjatë pushtetit të Shahut para Revolucionit Islamik të vitit 1979, edhe pse prejardhja e saktë e helikopterit të rrëzuar nuk qe e qartë. Disa dekada nën sanksione ia kanë bërë të vështirë Iranit sigurimin e pjesëve ose modernizimin e helikopterëve e aeroplanëve.