Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara mbi projektligjin e qeverisë së Gjeorgjisë “për agjentët e huaj”, tha të enjten Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se nuk do të donte të shihte përparimin e asnjë projektligji që do të cënonte të drejtën e lirisë së fjalës për qytetarët e ish vendit sovjetik.
“Jemi tejet të shqetësuar nga ky projektligj dhe ndikimin që do të mund të kishte në shtypjen e fjalës së lirë dhe disidentëve”, tha përmes një deklarate për shtypin zëdhënësi i Shtëpisë së Badhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.
Po të enjten, një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian i tha qeverisë së Gjerogjisë se projektligji ishte “i papranueshëm”. Ambasadori amerikan në Gjeorgji i bëri thirrje Tbilisit që të mos largohet nga orientimi Perëndimor i vendit.
Deklaratat e tyre vunë në pah alarmin e Uashingtonit dhe Brukselit, që pasoi miratimin të mërkuren nga Parlamenti i fazës së dytë të projekligjit, nga tre procese votimi që parashikohen në total.
Kritikët e kanë cilësuar projektligjin si autoritar dhe frymëzuar nga një ligj i ngjashëm i miratuar nga Kremlini.
Partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, thotë se projektligjin që detyron mediat dhe organizatat jo fitimprurëse që të regjistrohen se janë në ndikim të huaj në rast se më shumë se 20 për qind e fondeve për veprimtarinë e tyre, financohet nga jashtë, është i nevojshëm për të siguruar transparencë.
Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i partisë në pushtet tha këtë javë se Gjerogjia duhet të ruajë sovranitetin e saj kundër përpjekjeve të Perëndimit për ta vënë atë nën kontroll.
Qytetarë të shumtë kanë protestuar gjatë orëvë të mbrëmjes për javë të tëra jashtë ndërtesës së parlamentit në Tbilsi, ndërsa në diskutimet brenda saj ligjvënësit në disa raste janë përplasur me njëri tjetritn. Një tjetër protestë pritet të mbahet të enjten në mbrëmje.
Gert Jan Koopman, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Evropian përsëriti paralajmerimet e Bashkimit Evropian se projekligji mund të vinte në rrezik shpresat e Gjeorgjisë për t’u bërë anëtare e bllokut.
“Me përmbajtjen aktuale, ligji është i papranueshëm dhe mund të krijojë pengesa serioze për rrugën integruese të Gjeorgjisë”, tha ai në një konference për shtypin në Tbilisi.
Britania, Italia, Gjermmania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar gjithashtu projektligjin.
Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetin social X, ambasadori amerikan Robin Dunnigan tha se veprimet e qeverisë së Gjeorgjisë e kanë larguar vendin nga e ardhmja euro-atlantike dhe u bëri thirrje t’i kthehen sërish angazhimit drejt rrugës integruese të vendit.
Ai tha se “zyrtarët më të lartë” në Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Gjeorgjisë të diskutojë mbi këtë çështje, por se vendi nuk ka pranuar.
Të mërkurën vonë, dhjetra mijëra protestues u mblodhën në qendër të Tbilisit, në tubimin më të madh anti-qeveritar deri më tani. Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protesutesit.
Parlamenti pritet të hedhë për votim përfundimtar projektligjin pas rreth 2 javësh./VOA/