“Reuters” raporton se si këtë të premte një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë dhe pjesën më të madhe të bregdetit të Kroacisë, duke ndërprerë punën e bizneseve, mbyllur semaforët dhe lënë njerëzit pa ajër të kondicionuar në mes të valës së të nxehtit.
Ministri i Energjisë në Malin e Zi tha se ndërprerja u shkaktua nga një rritje e papritur e konsumit të energjisë, e shkaktuar nga temperaturat e larta.
Rrjetet e energjisë elektrike dhe wifi u fikën rreth orës 13:00 dhe energjia u kthye gjatë pasdites ose mbrëmjes, raporton Reuters.
“Dështimi ndodhi si rezultat i një ngarkese të madhe në rrjet, një rritje e papritur e konsumit të energjisë për shkak të temperaturës së lartë dhe vetë temperaturave të larta”, tha në një transmetim televiziv ministri malazez Sasha Mujovic, duke shtuar se ekspertët po punojnë ende për të identifikuar origjinën e problemit, që pak orë paralizoi rajonin.
Reuters citon më tej median malazeze, Vijesti TV, që raportoi për një zjarr në një linjë transmetimi 400 KW përgjatë kufirit me Bosnjën, megjithëse nuk është e qartë nëse kjo ka qenë shkaku i ndërprerjeve.
Agjencia e lajmeve citon edhe ministren tonë të Energjisë, Belinda Balluku, që njoftoi se ka pasur një avari në interkoneksionin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Energjia në Shqipëri u rivendos brenda gjysmë ore, por vendi mbeti në një rrezik të lartë për mbyllje të mëtejshme pasi përdorimi i energjisë vazhdoi të ishte i lartë, thotë Reuters.
Ndryshimet në furnizimet energjetike të rajonit kanë ngarkuar sistemet e tij të transmetimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë parë një bum në investimet në energjinë diellore, që synon të lehtësojë një krizë energjie që kishte kërcënuar një zhvendosje nga qymyri. Por infrastruktura nuk është e përgatitur për furnizime të reja të energjisë, tha presidenti i Komisionit Rregullator të Energjisë të Maqedonisë së Veriut dhe ekspertë të tjerë të industrisë për Reuters në prill të vitit të kaluar.