Ballina Bota Mark Rutte emërohet kreu i ri i NATO-s, kryeministri holandez merr detyrën...

Mark Rutte emërohet kreu i ri i NATO-s, kryeministri holandez merr detyrën e re më 1 tetor

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, është zyrtarisht Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s.

Kështu kanë vendosur anëtarët e aleancës më të madhe ushtarake në botë, duke bërë me dije se detyrën Rutte do ta marrë në tetor kur Jens Stoltenberg, shefi aktual i saj, të mbarojë mandatin e zgjatur. Lajmin e bëri të ditur vetë aleanca  nëpërmjet një komunikate për mediat.

“Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi të emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s, duke pasuar Jens Stoltenberg. Z. Rutte do të marrë funksionet e tij si Sekretar i Përgjithshëm nga 1 tetori 2024, kur mandati i Stoltenberg përfundon pas dhjetë vjetësh në krye të Aleancës.”

Pas vendimit të aleancës  ka ardhur edhe reagimi i Stoltenberg.

“Unë mirëpres ngrohtësisht zgjedhjen e aleatëve të NATO-s për Mark Rutte si pasardhësi im. Marku është një udhëheqës i fortë dhe një ndërtues i konsensusit. I uroj atij çdo sukses, ndërsa ne vazhdojmë të forcojmë NATO-n”, tha Stoltenberg.

Po ashtu edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen  e përgëzoi Rutte për detyrën e re.

“Urime, i dashur Mark Rutte, që u zgjodhët si Sekretari ri i Përgjithshëm i NATO-s. Udhëheqja dhe përvoja juaj do të jenë vendimtare për Aleancën gjatë këtyre kohërave sfiduese. Mezi pres të punoj me ju për të forcuar më tej partneritetin BE-NATO”, tha Von der Leyen.

Emërimi i Rutte u bë një formalitet, pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se ai ishte larguar nga gara, pasi nuk arriti të fitonte mbështetje./vizionplus.tv