Presidenti rus Vladimir Putin, tha të mërkurën se Rusia mund të përdorë armët bërthamore nëse kërcënohet sovraniteti i saj.
“Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe tërësinë tonë tokësore, ne e konsiderojmë të mundur përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, tha presidenti Putin, duke cituar atë që ai tha se është politika e sigurisë së vendit të tij.
“Për ndonjë arsye, ata në Perëndim besojnë se Rusia nuk do t’i përdorë kurrë ato”, i tha presidenti Putin një grupi gazetarësh ndërkombëtarë, duke shtuar se arsenali bërthamor i Rusisë është shumë më i fuqishëm se ai që përdorën Shtetet e Bashkuara në Hiroshima dhe Nagasaki në Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Udhëheqësi rus foli për më shumë se tre orë me gazetarët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve, përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.
Presidenti Putin paralajmëroi se Rusia mund të sigurojë armë me rreze të gjatë veprimi për të tjerët për të goditur objektivat perëndimore, nëse aleatët e NATO-s lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për të sulmuar territorin rus.
“Nëse ata e konsiderojnë të mundur dërgimin e armëve të tilla në zonën e luftës për të nisur sulme në territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse ne nuk kemi të drejtë të furnizojmë me armë të të njëjtit lloj disa rajone të botës, ku mund të përdoren për të nisur sulme ndaj objektivave të ndjeshëm të vendeve që e bëjnë këtë ndaj Rusisë”?, tha ai, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
Gjermania iu bashkua Shteteve të Bashkuara javën e kaluar me autorizimin e Ukrainës për të goditur objektivat në tokën ruse përgjatë kufirit rajonal të Kharkivit, duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi të dhuruara prej saj. Presidenti rus përmendi sistemet amerikane ATACMS, si dhe raketat britanike dhe franceze.
Tanket gjermane që arritën në në Ukrainë befasuan shumëkënd në Rusi, sipas presidentit Putin, i cili tha se “kur tanket gjermane u shfaqën për herë të parë në tokën ukrainase, kjo shkaktoi një tronditje të tillë morale dhe etike në Rusi, sepse marrëdhëniet me (Gjermaninë) në shoqërinë ruse, kanë qenë gjithmonë shumë të mira”.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme amerikane, udhëheqësi rus tha se nuk është i shqetësuar për rezultatet.
“Të thuash, po flas shumë sinqerisht, që ne besojmë se pas zgjedhjeve diçka do të ndryshojë ndaj Rusisë në politikën amerikane, nuk e besoj. Ne nuk mendojmë kështu. Ne mendojmë se asgjë serioze nuk do të ndodhë”, tha presidenti Putin.