Ballina Bota Putin ofron armëpushim me kushte në Ukrainë: Vetëm nëse Kievi heq dorë...

Putin ofron armëpushim me kushte në Ukrainë: Vetëm nëse Kievi heq dorë nga… Ukraina ka reaguar menjëherë dhe ka kundërshtuar propozimin e Putinit për armëpushim

Presidenti rus Vladimir Putin ofroi të premten armëpushim në Ukrainë dhe nisjen e bisedimeve nëse Kievi fillon të tërheqë trupat nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara nga Moska në vitin 2022 dhe heqjen dorë nga planet për anëtarësim në NATO.

Një marrëveshje e tillë duket e papranueshme për Kievin, i cili dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe ka kërkuar që Rusia të tërheqë trupat nga i gjithë territori i Ukrainës. Ukraina deri tani nuk ka komentuar mbi propozimin e presidentit Putin.

“Do të ndërmerrnim këto hapa në mënyrë të menjëhershme”, tha zoti Putin në një fjalim në ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.

Këto deklarata zoti Putin i bëri në një kohë që udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara u takuan në Itali dhe ndërsa Zvicra përgatitet të presë shumë udhëheqës botërorë, por jo nga Rusia, në një takim ku do të diskutohet mbi hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.

Zoti Putin tha se propozimi i tij synon “zgjidhje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe jo “ngrirjen e tij” dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë”.

Ndër të tjera, në kushtet për vendosjen e paqes, udhëheqësi renditi kërkesën që Kievi të mos ketë armë bërthamore, të kufizojë forcën ushtarake dhe të mbrojë interesat e popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë.

Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve themelore ndërkombëtare” dhe të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të hiqen, tha zoti Putin.

“Ne po bëjmë thirrje për ta lënë pas këtë periudhë tragjike të historisë dhe për rikthyer, hap pas hapi, unitetin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe Evropës në përgjithësi”, tha ai.

Këto komente shënuan një rast të rrallë në të cilin zoti Putin parashtroi qartë kushtet e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, por nuk përfshijnë ndonjë kërkesë të re. Kremlini ka thënë më parë se Kievi duhet të njohë kontrollin e Moskës mbi territor dhe të heqë dorë nga synimi anëtarësim në NATO.

Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet që aneksoi ilegalisht në vitin 2022, por zoti Putin këmbënguli të premten se Kievi duhet të tërhiqet plotësisht prej tyre dhe në thelb t’ia dorëzojë Moskës sipas kufijve të tyre administrative.

Në Zaporizhzhia në juglindje, Rusia ende nuk e kontrollon qendrën e rajonit me 700,000 banorë dhe në rajonin fqinj Kherson, Moska u tërhoq nga qyteti më i madh i tij, me të njëjtin emër, në nëntor të 2022./VOA

Ukraina iu përgjigj negativisht propozimit të Vladimir Putin për një armëpushim të menjëhershëm me kushte specifike.

Një këshilltar i presidentit ukrainas hodhi poshtë “propozimin e paqes” të paraqitur nga presidenti rus Vladimir Putin të premten, më 14 qershor, duke thënë se nuk është një përpjekje serioze për të arritur paqen dhe nuk ka të bëjë me asnjë negociatë.

Më herët presidenti rus vendosi kushte të qarta për fillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën.

Ai tha se Rusia do të ishte gati për bisedime të tilla “nesër” nëse trupat ukrainase tërhiqen nga rajonet Zaporizhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk dhe nëse Ukraina braktis planet për t’u bashkuar me NATO-n.

Nëse Ukraina do të pranonte këto kushte, ai tha se Rusia do të pushonte zjarrin dhe do të fillonte negociatat.

Volodymyr Zelensky është zotuar të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara nga kontrolli rus, dhe ai vetë ka thënë se të gjitha forcat ruse duhet të largohen nga Ukraina si kusht për çdo marrëveshje paqeje./vizionplus.tv