Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ndodhet nën një presion të madh nga demokratët për t’u tërhequr nga gara presidenciale. Figurat më të rëndësishme në kampin demokrat, i kanë kërkuar personalisht, 81-vjeçarit Biden të largohet nga fushata elektorale.
Infektimi i Joe Biden me COVID-19 është argumenti shtesë kundër vazhdimit të garës nga ana e Biden.
Media amerikane CNN, thekson se, Nancy Pelosi, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe numri dy në Partinë Demokratike, i ka thënë privatisht Biden se nuk mund ta mposht Donald Trumpin në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti Biden i është përgjigjur Pelosit në mënyrë negative. Ai i ka bërë të ditur ish Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve sondazhet të cilat tregojnë se ai mund të fitojë garën, citon CNN.
Vetë Joe Biden ka dhënë përgjigjen përfundimtare për gazetarin Ed Gordon, se kur mund të tërhiqet nga gara presidenciale.
“Nëse do të kisha ndonjë gjendje shëndetësore jo të mirë. Nëse dikush, nëse doktorët do të vinin tek unë dhe do të më thoshin se ju keni këtë problem. Por kam bërë një gabim të rëndë në të gjithë debatin. Debatin e mendova si diçka kalimtare. Por nuk e prisja që gjërat të krijonin kaq ndasi. Dhe sinqerisht, mendoj se e vetmja gjë që sjell mosha është pak mençuri. Ka më shumë për të bërë dhe unë nguroj të largohem nga kjo”, tha Joe Biden, President i SHBA.
Presioni i kongresmenëve demokrat, nuk pritet të ndikojë në vendimin e Joe Biden për vijimin e garës presidenciale. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andreë Bates hodhi poshtë zërat për një tërheqje të mundshme të Joe Biden, “Presidenti Biden është i nominuari i partisë. Ai planifikon të fitojë dhe mezi pret të punojë me demokratët e Kongresit për të diskutuar programin e tij për 100 ditët e para në krye të shtetit Amerikan”, tha Bates.