Fushata e Presidentit Biden për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë po përballet me pengesa të reja ndërsa ish kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi tha se “i takon presidentit të vendosë” nëse duhet të qëndrojë në garë.
Aktori me famë botërore dhe donator i rëndësishëm i fushatës së demokratit Biden, George Clooney tha se presidenti nuk duhet të garojë. Senatorë dhe kongresmenë demokratë thanë se druheshin lidhur me aftësitë e demokratit Biden për të mundur republikanin Donald Trump.
Stuhia deklaratave të ashpra, pavarësisht këmbënguljes së fortë të Presidentit Biden se nuk do të tërhiqet nga gara, nxjerr në pah dallimet e thella për këtë çështje mes udhëheqjes demokrate.
Ligjvënësi Pat Ryan i Nju Jorkut është bërë demokrati i tetë në Kongresin amerikan që i kërkoi publikisht Presidentit Biden që të tërhiqet nga gara.
“Dua që ai të bëjë atë që vendos vetë”, tha ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi të mërkurën në emisionin televiziv “Morning Joe” të kanalit MSNBC. Ajo nuk tha se zoti Biden duhet të qëndrojë në garë.
Ndërsa Presidenti Biden ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai ka marrë vendimin e tij, tha ajo, “Ne të gjithë po e inkurajojmë atë që ta marrë atë vendim, sepse afati po mbaron”.
Është një moment vendimtar për presidentin dhe partinë e tij, pasi demokratët po shqyrtojnë atë që dikur ishte e paimagjinueshme, largimin nga gara të një presidenti në detyrë, vetëm pak javë përpara kuvendit të Partisë Demokrate ku pritet emërimi i zotit Biden si kandidati zyrtar i demokratëve në zgjedhjet e nëntorit.
Këtë javë, Presidenti Biden po pret në Uashington udhëheqës botërorë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, me takime të stërzgjatura, bisedime dhe darka diplomatike, duke nxjerrë në pah aftësitë e tij.
Presidenti Biden gëzon mbështetje të fortë në Kapitol nga grupi i ligjvënësve me ngjyrë, të cilët ndikuan fuqishëm tek elektorati në zgjedhjet dhe fitoren e zotit Biden në vitin 2020, duke e cilësuar atë si zgjedhjen më të mirë për të mundur përsëri zotin Trump në vitin 2024.
Ligjvënësja demokrate Ilhan Omar e Minesotës tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se “demokratët po humbasin terren sa më shumë luftojnë lidhur me kandidaturën e zotit Biden”.
Vëmendja është përqendruar gjerësisht për sinjale të mundshme nga demokratja Pelosi, ndërsa komentet e saj kanë rëndësi të madhe për drejtimin që duhet të marrë partia mes alternativave të mundshme në fushatën kundër republikanit Donald Trump.
Muajin e kaluar, aktori i famshëm George Clooney organizoi një mbrëmje madhështore për mbledhje fondesh nga yjet e Hollywood-it për fushatën e demokratit Joe Biden kur merrte pjesë edhe vetë presidenti.
Përmes një shkrimi në gazetën New York Times të mërkurën, aktori Clooney tha se ai e donte zotin Biden, por me të kandidat, partia do të humbiste Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin në Kongres.
“Ky nuk është vetëm mendimi im, kështu mendon çdo senator, kongresmen dhe guvernator me të cilët kam folur privatisht”, shkruante zoti Clooney.
Ai theksoi dallimet që kishte vënë re tek mosha e presidentit gjatë darkës në Los Anxhelos, krahasuar me vitet e kaluara.
Senatori Michael Bennet, demokrat nga shteti Kolorado, foli të martën vonë lidhur rrezikun e një presidence të dytë të zotit Trump, duke nënvizuar se i takon presidentit “t’i shqyrtojë” alternativat.
Në një intervistë për rrjetin CNN, zoti Bennet tha se kishte folur privatisht me kolegët e tij duke u thënë se besonte se republikani Trump “është në rrugën e duhur për t’i fituar zgjedhjet dhe ndoshta me shumicë të madhe duke fituar Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve”.
Një tjetër demokrat, Senatori Richard Blumenthal nga Kenektikat, tha të mërkurën se ishte “thellësisht i shqetësuar” për fitoren e Biden-it në zgjedhje, të cilat ai i quajti ekzistenciale për vendin.
“Kam besim të plotë se Joe Biden do të bëjë gjënë patriotike për vendin. Ai do ta marrë këtë vendim”, tha për gazetarët Senatori Tim Kaine, demokrat nga Virxhinia.
Kuvendi kombëtar i Partisë Demokrate pritet të mbahet në mes të gushtit ku do të emërohet zyrtarisht kandidati i tyre për president.