Është shuar në moshën 88-vjeçare shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. Kolosi i letrave ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.Siç raporton REL me burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftuan se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.
Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare. Ai ishte shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerë dhe i përkthyer në 45 gjuhë.
Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Kolosi i letrave shqipe ka lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936. Ai ka qenë akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe në botë.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ka ndarë kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Veprat
Gjatë viteve ’60 në shkrimet e kritikës zyrtare Ismail Kadare kryesisht injorohej ose përmendej rrallë, në kontrast me shkrimtarët e mëdhenj të kohës të cilët kritika i pëlqente. Në vitet ’60 ai ishte i çmuar realisht për talentin e tij nga Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami. Pas njohjes ndërkombëtare Kadare konsiderohej si shkrimtar i talentuar, por talenti i të cilit anonte kah dekadenca dhe subjektivizmi.
Sipas disa studiuesve të veprës së tij, Kadare u përpoq të shkruajë letërsi normale në një vend jonormal (Shqipëria komuniste mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut ose Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’30), duke e quajtur veprën e tij letërsi rezistence, sfidoi realizmin socialist me realizëm subjektiv. Iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike. Për Elsie, ai shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer,Kush e solli Doruntinën, Pallati i ëndrrave, Kështjella etj.
Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Ai konsiderohej nga disa si një nga shkrimtarët dhe akademikët më të shquar europianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit. Temë qendrore e veprave të tij ishte totalitarizmi, mekanizmat e tij dhe kompliciteti që e bën atë të mundur.