Multimiliarderi Pavel Durov, themeluesi dhe drejtuesi i aplikacionit të komunimikimit Telegram, u vu në pranga nga autorietet në Francë duke shkaktuar polemika të mëdha mbi konceptin e fjalës së lirë dhe lirinë e shprehjes online.
Themeluesi i aplikacionit që ka më shumë se 900 milionë përdorues u çua të shtunën në paraburgim nga autoritetet franceze.
Opinioni publik global u trondit kur mediat franzece raportuan arrestimin e Durov me akuza në lidhje me përhapjen e materialeve të paligjshme. Ndërsa thashethemet u përhapën në internet gjatë fundjavës, lajmet për ndalimin e tij i hodhën benzinë zjarrit, një debati të vazhdueshëm për lirinë e fjalës në internet.
Njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, njëkohësisht pronari i platformës X, konkurente e Telegram, i cili e quan vetën një flamurtar të fjalës së lirë, postoi “#FreePavel” në llogarinë e tij X.
“Është viti 2030 në Evropë dhe ju jeni duke u ekzekutuar sepse keni bërë Like një meme”, shtoi Musk, i cili prej javësh sulmon autoritetet britanike, pasi në Britani kanë filluar arrestimet e personave që postojnë meme ofenduese në rrjetet sociale.
(Musk, pronar i platformës X, bën thirrje për lirimin e konkurentit të tij, pronarit të platformës Telegram, Pavel Durov)
Gazetari i famshëm amerikan Tucker Carlson e intervistoi Durov pak muaj më parë. Ai tha se arrestimi ishte “një paralajmërim i gjallë për çdo pronar platforme që refuzon të censurojë të vërtetën me urdhër të qeverive dhe agjencive të inteligjencës”.
(Tucker Carlson duke intervistuar Pavel Durov)
Për ngjarjen reagoi edhe kandidati i pavarur për President të SHBA-së, Robert Kennedy Jr.
“Franca sapo arrestoi Pavel Durov, themelues dhe CEO i platformës së sigurt dhe të pacensuruar Telegram. Nevoja për të mbrojtur fjalën e lirë nuk ka qenë kurrë më urgjente”, shkroi në platformën X Kennedy, tashmë aleat i Trump.
(Robert Kennedy Jr. nipi i ish-Presidentit John F. Kennedy, i del në mbrojtje Durov)
Drejtuesi i partisë opozitare Britanike “Reform”, Nigel Farage ka paralajmëruar se Elon Musk mund të jetë në telashe pas arrestimit të Pavel Durov.
Duke shkruar në X, në pronësi të miliarderit Musk, ai tha:
“Arrestimi i Pavel Durov është shqetësues.
Telegram është një aplikacion i sigurt i fjalës së lirë. Mund të ketë disa aktorë të këqij, por të gjitha platformat kanë.
Çfarë ndodh më pas… arrestimi i Elon Musk?”
Pas furisë së ndezur online, erdhi dhe reagimi i zyrtarit më të lartë të shtetit francez.
(Makron: Politika nuk ka gisht në arrestimin e Durov)
Emanuel Makron reagoi mbi ato që i quajti lajme të rreme lidhur me arrestimin e shefit të Telegram.
“Kam parë informacione të rreme në lidhje me Francën pas arrestimit të Pavel Durov.
Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe komunikimit, ndaj inovacionit dhe frymës së sipërmarrjes. Kështu do të mbetet.
Në një shtet të së drejtës, liritë ruhen brenda një kuadri ligjor, si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore.
I takon gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin.
Arrestimi i presidentit të Telegram në tokën franceze u bë në kuadër të një hetimi gjyqësor në vazhdim. Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik. Është në dorën e gjyqtarëve që të vendosin për këtë çështje” – u shpreh Makron.
Leonid Volkov, dikur këshilltar i lartë i Aleksei A. Navalny, lideri i opozitës ruse që vdiq në burg vitin e kaluar, shkroi në Telegram se megjithëse platforma ishte bërë një mjet i dobishëm për kriminelët, Pavel Durov duhet të lirohet. “Durov nuk është një “bashkëpunëtor” i krimeve të kryera nga përdoruesit e Telegram,” tha ai.
Në një intervistë në Telegram, George Lobushkin, një ish-sekretar i shtypit për Durov, i cili mbetet i afërt me të, shkroi: “Ky është një sulm monstruoz ndaj lirisë së fjalës në mbarë botën”.
Pikërisht çështja e bashkëpunëtorit në krim është ajo çka ka ndezur debatin.
“Me këtë standard edhe shefi i Mercedes-Benzit duhet të arrestohet, sepse makinat e tij i përdorin kriminelët për të trafikuar drogë” – shkruantë një përdorues në X.
(Ilustrim: Një Mercedes Benz i përdorur për trafik droge)
Reagimi mbi lajmin e arrestimit tregoi se si shqetësimet për shprehjen e lirë, censurën dhe mbikëqyrjen e qeverive mbi postimet në internet po rriten në një kohë kur rregullacioni mbi rrjetet sociale në mbarë botën është rritur.
Qeveritë kombëtare, veçanërisht ato në Bashkimin Evropian, kanë shtuar presionin ndaj kompanive për të censuruar dezinformimin, ekstremizmin në internet, sigurinë e fëmijëve dhe përhapjen e materialeve të paligjshme.
Telegrami ka qenë prej kohësh në radarin e agjencive të zbatimit të ligjit në mbarë botën, sepse organizatat terroriste, shitësit e drogës, tregtarët e armëve dhe grupet ekstremiste politike e kanë përdorur atë për komunikim, rekrutim dhe organizim.
Telegram, i themeluar në vitin 2013 nga Pavel Durov, është kthyer në një nga mjetet më të mëdha të komunikimit online në botë dhe është thelbësor në jetën e përditshme në vende si Rusia, Ukraina dhe India për mesazhe, publikimin e lajmeve të pavarura dhe debatet publike.
Rritja e kompanisë është nxitur pjesërisht nga përkushtimi ndaj fjalës së lirë. Telegrami nuk ka qenë shumë mbikqyrës për atë që njerëzit thonë ose bëjnë në platformë. Pikërisht kjo politikë e kompanisë i ka ndihmuar njerëzit që jetojnë nën qeveri autoritare të komunikojnë, të organizohen dhe rrjedhimisht të preferojnë të përdorin Telegramin. Kjo politikë e kompanisë ka pasur edhe pasoja të tjera. E ka bërë aplikacionin një strehë për dezinformimin, ekstremizmin e ekstremit të djathtë dhe përmbajtje të tjera të dëmshme.
Ç’ndodhi në Paris
39-vjeçari Durov u arrestua në aeroportin Le Bourget afër Parisit pasi u ul me aeroplanin e tij privat teksa vinte nga Azerbajxhani. Një zyrtar gjyqësor francez tha të dielën në mbrëmje se koha e tij në paraburgim ishte zgjatur. Sipas ligjit francez, 24 orët fillestare të kaluara në paraburgim mund të zgjaten deri në 96 orë, në varësi të seriozitetit të akuzave penale. Dhe pikërisht kjo ndodhi.
Në një deklaratë në Telegram të dielën, kompania tha, “Telegram respekton ligjet e BE-së”, duke shtuar, “CEO i Telegram Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur”.
Arrestimi i Durov rrezikon intensifikimin e tensioneve me Rusinë. Ambasada ruse në Francë tha në një deklaratë të dielën se u kishte kërkuar autoriteteve franceze sqarime mbi lajmin e arrestimit.
Vladislav Davankov, nënkryetari i Dumës së Shtetit, një dhomë e Parlamentit të Rusisë, bëri thirrje për lirimin e Pavel Durov. Ai tha se arrestimi mund të jetë një përpjekje për të fituar akses në informacionin e mbajtur nga Telegram dhe kjo “nuk mund të lejohet”.
Durov, pasuria neto e të cilit u vlerësua nga Forbes në më shumë se 15 miliardë dollarë, ka shmangur kryesisht llojin e vëmendjes publike me të cilin përballen drejtuesit kryesorë të platformave të tjera të mëdha online, siç janë Elon Musk i X, Mark Zuckerberg i Meta, Shou Cheu i TikTok. dhe Sundar Pichai i Google.
Arrestimi i Durov ka pak precedent. Ndërsa Bashkimi Evropian dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë thirrur dhe marrë në pyetje drejtues të firmave të tjera të mediave sociale, rrallëherë është arrestuar një drejtues i madh teknologjie për atë që ndodh në faqe të tilla. Një rast që mund të kujtojmë, por jo i nivelit drejtues CEO, është në vitin 2016 kur autoritetet braziliane arrestuan një drejtues të lartë të Facebook pasi kompania nuk dorëzoi informacione nga WhatsApp si pjesë e një hetimi për trafikun e drogës.
Me interes të veçantë pas ndalimit të Durov në Francë, mund të jetë se çfarë informacioni Telegram do të vendoste të ndajë ose të fshehë ndaj autoriteteve. Me këtë arrestim, autoritetet franceze mund të përpiqen të detyrojnë Telegramin të ndajë me ta informacionet nga kanalet kriminale që, për shembull, përdoren për të shitur armë zjarri ose për të koordinuar sulme terroriste. Një veprim i tillë mund të vërë në test premtimin e Telegram për përdoruesit e tij se kompania mbron rreptësisht informacionin e tyre.
Kush është Durov?
Durov është shtetas rus. Ai u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi humbi kontrollin e kompanisë së tij Vkontakte, rivali i Facebook në Rusi. Një vit më par ai kishte themeluar Telegram, një kompani që e reklamonte si një mënyrë të pacensuruar dhe të sigurt për të komunikuar. Kompania tani është e vendosur në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Pavel Durov ka nënshtetësi në Francë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Telegram funksionon si një aplikacion standard mesazhesh, si iMessage ose WhatsApp, por gjithashtu ofron kanale dhe grupe në të cilat një numër i madh njerëzish mund të shkruajnë ide dhe të komunikojnë.
Popullariteti i Telegram-it është pjesërisht i rrënjosur në lëvizjet që ai bëri për të lejuar grupet e mëdha të bisedave deri në 200,000 njerëz, në një kohë kur media të tjera sociale, si WhatsApp, po ndërmerrnin hapa për të zvogëluar madhësinë e grupeve në përpjekje për të luftuar dezinformimin. Funksione të tjera, si ndarja e materialeve të mëdha apo mungesa e kufizimeve në shpërndarjen e linqeve, kanë ndihmuar që Telegrami të bëhet një mjet i fuqishëm për organizimin dhe koordinimin shoqëror.
Një rast ku nga Telegrami është prekur Shqipëria dhe Kosova ishte grupi Albkings. Rreth 120 mijë përdorues kishin krijuar një grup në Telegram dhe shpërndanin foto dhe video intime të vajzave shqiptare duke i denigruar ato. Me përpjekje të mëdha të autoriteteve të Kosovës grupi u mbyll. Vështirësia në mbylljen e këtij grupit Albkings ishte pikërisht Telegram. Kompania nuk kthente përgjigje.
Këto aftësi, të kombinuara me moderimin minimal të aplikacionit (ose ndryshe censurimin minimal), e bënë Telegramin një strehë për individët dhe grupet që u ndaluan nga platforma të tjera si Twitter (sot i quajtur X) dhe Facebook.
Telegram fiton para përmes blerjeve brenda aplikacionit, reklamave, abonimeve dhe promovimeve të tjera. Në mars, Durov i tha Financial Times se Telegram po i afrohej fitimit dhe po shqyrtonte të dilte në bursë.
Raportet për arrestimin e Durov u pritën menjëherë me kritika nga fansat e Telegram, si një shembull i qeverive që përpiqen të censurojnë fjalën e lirë në internet. Durov në përgjithësi ka mbajtur një profil të ulët, duke mos bërë shumë intervista në media. Në kanalin e tij personal në Telegram, ai komenton për tema të ndryshme, duke përfshirë stilin e jetës së tij asketike, vendet ku udhëton dhe së fundmi, se si si dhurues sperme ai tani ka më shumë se 100 fëmijë biologjikë. Në Instagram, ai poston herë pas here foto ku shihet pa këmishë.
(Pavel Durov, përveç famës që ka si një nga njerëzit më të pasur të globit, njihet edhe si promotor i jetesës së shëndetshme)
Megjithëse Pavel Durov e portretizon veten si një kryqtar për fjalën e lirë, shumë ekspertë të sigurisë kanë thënë se Telegrami nuk është mjaftueshëm i sigurt. Analistët e dezinformimit thonë gjithashtu se, duke pasur një qasje të lehtë me moderimin e informacionit, aplikacioni është bërë një vektor kryesor për përhapjen e propagandës terroriste dhe ekstremizmit të djathtë.
Durov e ka lidhur krijimin e Telegram me një përplasje që kishte me shërbimet e sigurisë ruse, të cilët ai tha se hynë në banesën e tij në një përpjekje për ta detyruar atë të heqë materialet politike të opozitës në Vkontakte.
Pasi u largua nga Rusia në vitin 2014, Pavel Durov tha se kishte udhëtuar në Berlin, San Francisko, Londër, Singapor dhe qytete të tjera përpara se ta ngrinte selinë e Telegram në Dubai. Rusia në një moment u përpoq të ndalonte Telegramin, por problemet e kompanisë u duk se u lehtësuan pasi një drejtues i lartë i kompanisë u shfaq në vitin 2020 në një panel teknologjik me kryeministrin e Rusisë.
Përgatiti ©LAPSI.AL