Ballina Bota Blinken-Netanyahu 3 orë diskutime “kokë më kokë”, Izraeli do të dërgojë negociatorë...

Blinken-Netanyahu 3 orë diskutime “kokë më kokë”, Izraeli do të dërgojë negociatorë në Kajro këtë javë

Takimi mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv përfundoi pas më shumë se tre orësh.

Sipas deklaratës nga zyra e shtypit e kryeministrit izraelit, Netanyahu “përsëriti angazhimin e Izraelit ndaj propozimit aktual amerikan për lirimin e pengjeve, i cili merr parasysh nevojat e sigurisë së Izraelit, për të cilat ai këmbëngul me forcë”.

Në të njëjtën kohë, në njoftim thuhet se takimi ka qenë pozitiv dhe është zhvilluar në një “atmosferë të mirë”.

Sipas Times of Israel duke cituar një zyrtar izraelit, Netanyahu i tha Blinken se do të dërgonte negociatorët e tij kryesorë në samitin në Kajro këtë javë.

Ekipi do të drejtohet nga shefi i Mossad-it, David Barnea, drejtori i Shin Bet Ronen Barr dhe zyrtari i IDF-së, Nizan Alon.

Të tre morën pjesë në bisedime javën e kaluar në Doha, Katar.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëroi se tani është “ndoshta” shansi “i fundit” për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës më shumë se dhjetë mujore në Rripin e Gazës.

“Ky është një moment vendimtar, ndoshta më i miri, ndoshta shansi i fundit që pengjet të kthehen në shtëpitë e tyre, që të arrihet një armëpushim dhe që e gjithë bota të hyjë në rrugën e paqes dhe sigurisë që do të zgjasë”, theksoi Blinken./vizionplus.tv