Shtetet e Bashkuara nuk janë angazhuar në asnjë aspekt të planifikimit apo përgatitjes së sulmit të papritur të Ukrainës në Rusi, tha zëvendes zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel për gazetarët të martën.
Ukraina e zuri Moskën të papërgatitur duke dërguar mijëra trupa në rajonin perëndimor rus të Kurskut, në një operacion në të cilin Kievi thotë se ka marrë nën kontroll 1000 kilometra katrorë, fitorja më e madhe në terren që nga 2022.
Ukraina tha të martën se nuk ka interes që ta mbajë për një kohë të gjatë territorin që ka arritur të vërë nën kontroll, por se ndërkohë, mund të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të çuar më përpara trupat e saj në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.
“Ndryshe nga Rusia, Ukraina nuk ka nevojë për pasurinë e njerëzve të tjerë”, tha zëdhënësi i ministrisë të Jashtme Georgiy Tykhy për gazetarët në Kiev. “Ukraina nuk është e interesuar të marrë territorin në rajonin Kurs, por ne duam të mbrojmë jetët e njerëzve tanë”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se duhet të theksohet se “operacioni në Kursk ndihmon në vijën e frontit sepse e pengon Rusinë që të dërgojë njësi shtesë në rajonin e Donetskut dhe ndërlikon logjitiskën ushtarake”./voa