Një 72-vjeçar i identifikuar si Faik Ajdini është gjetur i pajetë në fshatin Zhapokike 2, në Memaliaj.
“Rreth orës 06:40, në lagjen “Canometaj”, në fshatin Zhapokikë 2, është gjetur i pajetë, nga familjarët, në një përrua në afërsi të fshatit, shtetasi F. A., 72 vjeç”, njoftoi policia.
Por burime nga grupi hetimor për gazetaren e Vizion Plus Merzo Selimi bëjnë me dije se vdekja e 72-vjeçarit nuk ka qenë natyrale, por vrasje. Nga konstatimi i trupit të pajetë janë konstatuar dy goditje në qafë dhe në kokë, ku plaga në qafë ka shkaktuar hemorragji, çka ka shkaktuar vdekjen.
Goditjet kanë qenë me mjete prerëse sëpatë ose thikë. Terreni shumë i vështirë në përrua, ku është gjetur trupi i të ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.
Trupi i të ndjerit Faik Ajdini ende nuk është lëvizur derisa të mbarojnë ekzaminimet. Sipas pistës fillestare, 72-vjeçari është qëlluar për vdekje dhe për të humbur gjurmët, vrasësi e ka hedhur në humnerë.
Ndërkaq, alarmin për humbjen e gjurmëve të të moshuarit e kanë dhënë familjarët e tij, të cilët kishin më shumë se 48 orë pa asnjë kontakt me të. Ndërkaq, Policia e Gjirokastrës ka ngritur 2 postblloqe në aksin nacional Memaliaj-Krahës dhe në akset lokale Memaliaj-Sektori i Tretë dhe Krahës-Rabijë./vizionplus.tv