Vijon ende kërkimi në rrënojat e jahtit luksoz që u fundos në brigjet e Siçilisë. Ndërkohë nuk është gjetur ende 18-vjeçarja Hannah Lynch.
Sa i përket anijes së fundosur në fund të detit, autoritetet italiane bëjnë me dije se tërheqja e saj në sipërfaqe nuk është ende një çështje në diskutim, megjithëse nuk e përjashtojnë atë në të ardhmen.
Jahti ka rënë në një anë, në fund në një thellësi prej 50 metrash dhe duket se ka pësuar dëmtime minimale.
Sipas mediave të huaja, ekspertët thonë se vetëm rikuperimi i varkës do të mund të japë përgjigje përfundimtare për ngjarjet që çuan në fundosjen e saj brenda disa minutave dhe vdekjen e shtatë personave. Ata bëjnë me dije se operacioni për nxjerrjen e jahtit është i vështirë, pasi , fillimisht duhet të sillet në një pozicion të drejtë dhe më pas të ngrihet në mënyra që nuk do të shkaktojnë më shumë dëme.
Gjendja e anijes dhe rrënojat, mund të jenë një mënyrë për të kuptar nëse direku mund të jetë një arsye që çoi në fundosjen e jahtit luksoz.
Sipas kësaj qasjeje, turbina e ujit theu direkun, gjë që e la anijen të ekspozuar ndaj erërave të forta, e më pas, pasi u godit nga tornadoja, varka me vela ra anash dhe u fundos shumë shpejt.
Për shkak të thellësisë, 27 zhytësit që u thirrën për të tërhequr trupat e pasagjerëve të bllokuar brenda varkës të mbytur, mundën të qëndronin vetëm 10-12 minuta, ndërsa u duhej kohë e mjaftueshme për t’u kthyer në mënyrë të sigurt në sipërfaqe.
Giovani Constantino, themeluesi dhe CEO i kompanisë së listuar që zotëron asetet e Perini Navi Viareggio, e cila ndërtoi Bayesian, e përshkroi jahtin në vitin 2008 si një nga anijet më të sigurta në botë, praktikisht e pathyeshme. Duke folur për Corriere della Sera mbi shkaqet për tragjedinë detare në Palermo, ai nënvizoi si më poshtë:
“Gjithçka që është bërë zbulon një listë shumë të gjatë gabimesh. Njerëzit nuk duhej të ishin në kabina, varka nuk duhej të ishte në spirancë. Dhe pse ekuipazhi nuk e dinte për gjendjen e motit? Pasagjerët raportuan se stuhia mbërriti në mënyrë të papritur, nga hiçi. Kjo nuk është e vërtetë. Gjithçka ishte e parashikueshme. Unë kam hartat e motit pikërisht këtu para meje. Asgjë nuk erdhi papritur. Kushtet e pafavorshme të motit ishin plotësisht të njohura në të gjitha hartat meteorologjike. Ishte e pamundur që askush të mos i njihte”, shtoi Constantino.
Siç deklaroi ndërtuesi i varkës fatkeqe, “Një anije Perini i rezistoi uraganit Katrina të kategorisë 5, a mendoni se nuk mund t’i rezistojë kjo një stuhie të tillë? Është praktikë e mirë, që kur anija është në spirancë të kesh një roje në urë dhe nëse ai do të kishte qenë atje, nuk mund të mos e shihte stuhinë që po vinte. Në vend të kësaj, varka mori ujë me të ftuarit ende në kabinat e tyre. Mjaftoi vetëm një kënd prej 40 gradësh dhe ata në kabinë e gjetën veten me derën e hapur”, tha ai.
Një inxhinier tha se Bayesian ndoshta u fundos për shkak të gabimit njerëzor, duke qenë në një pozicion të papërshtatshëm për ardhjen e mundshme të motit të keq.
Duke folur në mënyrë anonime për Televizioni shtetëror italian, inxhinieri vuri në dukje defekte të mundshme, që nga vrimat e hapura deri tek mosfunksionimi i motorëve.
Çfarë ka ndodhur?
Për shkak të motit të keq që goditi zonën e Palermos, një jaht luksoz rreth 50 metra u mbyt rreth orës 5 të mëngjesit në shtrirjen e detit përballë Porticello në provincën e Palermos. Mjeti lundrues mbante një flamur britanik ndërsa në bord ndodhesin në total 22 persona, 10 anëtarë të ekuipazhit dhe 12 pasagjerë. Mes tyre amerikanë kanadezë dhe të tjerë.
Kërkimi për të zhdukurit nxorrën trupat e pajetë. Ndërkohë, mes pasagjerëve të shpëtuar është edhe një vajzë e vogël dhe nëna e saj që ndodhen në spitalin e fëmijëve në Palermo. Babai është dërguar në spitalin Qytetar ndërsa 5 persona të tjerë ndodhen në pikën e urgjencës territoriale të Bagherias. Në zonën ku ndodhi aksidenti u dërguan disa helikopterë. Për të vazhduar kërkimet ka mbërritur edhe helikopteri i zjarrfikësve që u largua nga Katania. Hetimet për aksidentin po kryhen nga Autoriteti Portual. /vizionplus.tv