Ku gaboi Rusia kur Ukraina nisi inkursionin në territorin e saj
Ideja se Ukraina dhe Rusia mund “t’i ndërrojnë rolet në tavolinë”, dhe ajo të shpërthejë në territorin e fqinjit të saj shumë më të madh, dukej e paimagjinueshme për shumicën e vëzhguesve para javës së kaluar. Operacioni i cili shokoi popullin rus ka ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e vëzhgimit të Rusisë, si dhe kalibrin e fortifikimeve të saj kufitare dhe forcat që i ruajnë ato
Reuters
Në orët para se ushtarët ukrainas të sulmonin kufirin perëndimor të Rusisë nuk kishte asnjë shenjë nga Moska se diçka nuk shkonte siç duhej.
Në mesnatën e 6 gushtit, Ministria ruse e Mbrojtjes kishte publikuar “një lajm të mirë”: më shumë se 2500 anëtarë të regjimentit përgjegjës për kapjen e një qyteti në Ukrainën lindore do të merrnin çmime shtetërore për heroizëm.
Më vonë atë mëngjes, ndërsa Ukraina kishte filluar inkursionin më të madh ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ministria publikoi një video që tregonte gjeneralin Valery Gerasimov, komandant i luftës ruse, duke vizituar një zonë tjetër luftimesh, gjithashtu në Ukrainë. Ai kishte dëgjuar raporte nga komandantët dhe kishte vendosur “detyra për veprime të mëtejshme”.
Pamjet nuk specifikonin kohën e saktë të vizitës, por nuk zbulonin as shqetësime apo njohuri për ngjarjet që kishin nisur në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë, që kërcënuan të prishnin planet e Gerasimovit dhe të ndryshonin rrjedhën e dy vjetëve e gjysmë luftë në Ukrainë.
Paniku ishte përhapur shpejt mes banorëve vendës rusë në orët e para të sulmit, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të autoriteteve për t’i siguruar ata se gjithçka ishte nën kontroll.
Ideja se Ukraina dhe Rusia mund “t’i ndërrojnë rolet në tavolinë”, dhe ajo të shpërthejë në territorin e fqinjit të saj shumë më të madh, dukej e paimagjinueshme për shumicën e vëzhguesve para javës së kaluar. Operacioni i cili shokoi popullin rus ka ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e vëzhgimit të Rusisë, si dhe kalibrin e fortifikimeve të saj kufitare dhe forcat që i ruajnë ato.
“Rusët patën një dështim të plotë të inteligjencës këtu”, është shprehur në një intervistë eksperti ushtarak francez, Yohann Michel, studiues në institutin “IESD” në Lyon.
Me tërheqjen e forcave të Ukrainës në Ukrainën lindore, një nga pjesët më strategjike të vijës së frontit, Moska mund të ketë supozuar fare mirë se Kievi nuk do të bënte një lojë e cila edhe tani nuk është aspak e qartë se do t’i japë rezultat, sipas Michel.
“Unë do ta kuptoja nëse do të ishte e vështirë për rusët të mendonin se diçka kaq e madhe mund të ndodhte”, ka thënë Michel.
Qëllimet e Ukrainës në Kursk përfshijnë shpërqendrimin e forcave ruse nga vija e frontit në rajonin lindor të Donetskut. Luftimet janë intensifikuar në atë rajon ditët e fundit dhe rreziqet për Ukrainën po rriten ndërsa ajo përpiqet të mbajë terren në Kursk.
Deputeti rus dhe ish-oficeri ushtarak, Andrei Gurulyov, ka thënë në një intervistë televizive dy ditë pas inkursionit, se udhëheqësit ushtarakë rusë ishin paralajmëruar në një raport rreth një muaj më parë se kishte shenja të përgatitjeve për një sulm ukrainas, por se kjo nuk ishte marrë shumë seriozisht.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Forcat e armatosura të Ukrainës refuzuan të komentojnë në lidhje me operacionet në vazhdim dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve.
Vetëm pasditen e ditës së nesërme, më 7 gusht, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Gerasimov, shefi i shtabit të forcave të tij të armatosura, bënë komentet e tyre të para publike mbi ngjarjet e Kurskut, të cilat kreu i Kremlinit i quajti “një tjetër provokim i madh” nga Ukraina.
Gerasimov i ka thënë Putinit në komentet televizive se forcat ruse kishin “ndaluar” një forcë prej deri në 1000 ushtarë ukrainas që të futeshin thellë brenda rajonit të Kurskut.
Michel, analist ushtarak, ka thënë se ishte e paqartë nëse Gerasimov ishte keqinformuar nga vartësit e tij, apo nëse ai ndihej i detyruar t’i jepte një lajm të mirë Putinit para kamerave televizive.
“Zyrtarët rusë në mjedise të tilla të inskenuara thonë atë që ata mendojnë se shefi dëshiron të dëgjojë ose të shohë në publik në atë moment specifik”, ka deklaruar Michel.
“Ne i këshillojmë njerëzit që të largohen”
U deshën gati 12 orë nga momenti i inkursionit, të cilin Gerasimov e deklaroi në orën 5:30 të mëngjesit më 6 gusht, që Ministria e Mbrojtjes të pranonte publikisht se Ukraina kishte sulmuar kufirin, e lëre më ta kishte thyer atë.
Iu la si detyrë guvernatorit rajonal të Kurskut, Alexei Smirnov, i cili kishte vetëm disa muaj në krye, të mbushte vakumin e komunikimit dhe të përpiqej të koordinohej me agjencitë e shumta të mbrojtjes dhe sigurisë përgjegjëse për mbrojtjen e kufirit.
Në të parin nga shumë postimet e tij në Telegram më 6 gusht, Smirnov kishte lëshuar paralajmërime raketash në orën 1:51 dhe 3:11 të mëngjesit me orën lokale, duke u kërkuar banorëve të strehoheshin. Në orën 3:15, ai ka thënë se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar tre dronë ukrainas në hyrje. Në orën 6:16, 11 të tjerë.
Rajonet në të dyja anët e kufirit janë përdorur prej kohësh për sulme me raketa dhe me dronë. Ndër objektivat e goditura ishin depot e naftës, nënstacionet e energjisë dhe, sipas ushtrisë ukrainase, një objekt magazinimi për armë dhe pajisje ushtarake.
Rreth orës 05:00, alarmi kishte nisur të përhapej në rrjetet sociale. Vendësit thanë se granatimet në Sudzha, një qytet rus në kufi, kishin vazhduar afro rreth tri orë.
“Çfarë po ndodh me energjinë elektrike? Unë nuk kam rrymë dhe ujë”, ka thënë një grua duke postuar si “Ekaterina Picasa”. Një përdorues i quajtur Denis kishte raportuar nëntë shpërthime në Korenevo, rreth 26 km nga kufiri.
Një lumë postimesh u shfaqën në “Native Sudzha”, një kanal komuniteti në rrjetin social “VKontakte”, por nuk ishte e qartë nëse informacioni ishte nga burime zyrtare.
“Ne i këshillojmë njerëzit të largohen nga qyteti”, thuhej në një mesazh në orën 7:34 të mëngjesit.
Njerëzit u paralajmëruan të kenë kujdes nga dronët dhe të kenë kujdes nga predha të pashpërthyera.
Kanali Telegram “Two Majors”, i ndjekur nga më shumë se një milion njerëz, ka njoftuar se një grup i vogël nga “armiku” kishte arritur të hynte vetëm deri në 300 metra brenda Rusisë dhe se “po shkatërrohej”.
Qeveria e Ukrainës ka folur shumë pak për planifikimin e inkursionit.
Në maj, menjëherë pasi trupat ruse kaluan kufirin dhe pushtuan territorin në rajonin e afërt të Kharkivit, shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës kishte paralajmëruar publikisht për grupe të vogla të forcave ruse që mblidheshin rreth zonës Sudzha dhe kishte thënë se Moska kishte planifikuar një operacion në rajonin Sumy të Ukrainës prej andej.
Të premten trupat e parashutistëve të Ukrainës kanë thënë se luftëtarët e saj kaluan orët e para të operacionit duke çminuar, duke thyer kufirin dhe duke shkatërruar linjat mbrojtëse, duke përdorur aviacionin dhe artilerinë.
“Përgatitja e kujdesshme, planifikimi, befasia, shpirti luftarak dhe heshtja informative u bënë vendimtare në fazën fillestare të operacionit”, thuhej në një postim online të Forcave Ajrore të Sulmit.
Një ushtar ukrainas i quajtur Dmytro, 36 vjeç, kishte thënë se fillimisht mendonte se ngritja e ushtrisë ukrainase ishte për të parandaluar një bastisje ndërkufitare ruse.
Në vend të kësaj, ai e gjeti veten duke marrë pjesë në përparimin drejt pikës kufitare pranë Suxhasë pasi njësitë sulmuese u zhvendosën, ka bërë të ditur ai në një intervistë, duke dhënë emrin e tij të vetëm në përputhje me protokollin ushtarak.
“Ne kemi punuar për t’i parandaluar dhe ata nuk e panë fare atë që po i priste”, është shprehur ushtari.
“Nën kontroll”
Vetëm pas orës 10:00 të mëngjesit, guvernatori Smirnov kishte konfirmuar për herë të parë se Ukraina kishte tentuar një inkursion, por ka shtuar se ushtarët rusë dhe rojet kufitare të shërbimit të sigurisë FSB kishin “parandaluar” thyerjen e kufirit.
Pak para mesditës Ministria e Mbrojtjes publikoi videon e saj të Gerasimovit duke vizituar pozicionet e sulmit rus në Ukrainë. Mirëpo, për ngjarjet në Kursk, ajo ishte e heshtur.
Kështu ishte edhe Kremlini, pasi zëdhënësi Dmitry Peskov ndodhej në një pushim veror dhe gazetarët u larguan pa informimin e tij të zakonshëm të përditshëm. As më 16 gusht, 10 ditë më vonë, ai nuk ishte kthyer në punë.
Smirnov kishte deklaruar se po ofrohej ndihma për banorët e zonave që ishin goditur gjatë natës nga raketa dhe dronë.
“Situata është nën kontroll”, kishte shkruar ai në orën 12:46.
Rreth një orë më vonë, agjencitë ruse të lajmeve publikuan fjalën e parë nga autoritetet qendrore për situatën. Ishte nga FSB-ja, e cila deklaronte se Rusia kishte “zmbrapsur një provokim të armatosur”.
Megjithatë, një eksod ishte duke u zhvilluar.
Banorët e Sudzhës po “largoheshin masivisht”, kishte shkruar në Telegram një grua e quajtur Anna.
“Sigurisht. Të gjithë duan të jetojnë”, ishte përgjigjur dikush.
Në këtë kaos disa mbetën pas. Një rrjet kërkimi i quajtur “Liza Alert”, bëri të ditur se kishte postuar mbi 100 njoftime për të “të zhdukur”, për njerëzit që ishin zhdukur që nga 6 gushti, duke përfshirë shumë pensionistë në të 70-at dhe 80-at e tyre.
“Dhëmbët e dragoit”
Paraardhësi i Smirnovit, Roman Starovoit, i kishte thënë vazhdimisht publikut se Rusia kishte rritur fortifikimet e saj kufitare në rajonin e Kurskut.
Në dhjetor të vitit 2022, ai kishte pozuar në një fushë me dëborë pranë mbrojtjeve antitank të quajtura “dhëmbët e dragoit”. Muajin pasues, ai kishte shkruar: “Për momentin rreziku i një pushtimi të armatosur të territorit të rajonit të Kurskut nga Ukraina nuk është i lartë. Megjithatë, ne po punojmë vazhdimisht për të forcuar aftësitë mbrojtëse të rajonit.”
Megjithatë, vjeshtën e kaluar Qendra Kombëtare e Rezistencës së Ukrainës, e krijuar nga forcat e operacioneve speciale, ka bërë të ditur në një postim në internet se “pothuajse të gjitha bastionet janë të braktisura nga personeli dhe pajisjet” përgjatë kufirit me Kursk, duke shtuar se korrupsioni ishte një faktor.
Videoja e publikuar nga parashutistët e Ukrainës tregoi kolona automjetesh të blinduara që kalonin nëpër rreshta “dhëmbësh dragoi”, pjesë e fortifikimeve në Kursk që mediat ruse kanë thënë se kushtojnë 168 milionë dollarë.
Përgjegjësia e ndarë
Përgjegjësia për mbrojtjen e kufirit rus ndahet midis trupave të rregullta, forcave kufitare të FSB-së dhe gardës kombëtare. Guvernatori Smirnov me sa duket u referohej këtyre agjencive të ndryshme kur kishte deklaruar në mesditën e ditës së parë se ishte takuar me “përfaqësues të strukturave të sigurisë”.
Tashmë ai po tërhiqej nga linja e tij fillestare se kishin penguar të thyhej kufiri.
“Situata në zonën kufitare mbetet e vështirë, por mbrojtësit tanë po punojnë me sukses për të shkatërruar armikun”, kishte thënë Smirnov.
Në orën 17:05, Ministria e Mbrojtjes përmendi inkursionin për herë të parë duke thënë se Rusia kishte transferuar rezerva në zonë.
“Trupat që mbulojnë kufirin shtetëror, së bashku me njësitë e trupave kufitare të FSB-së të Rusisë, po zmbrapsin sulmet dhe po i shkaktojnë zjarr armikut në zonën e kufirit shtetëror dhe në rezervat e tij në rajonin Sumy të Ukrainës”, kishte deklaruar ministria.
Në konferencën e 7 gushtit, Gerasimov i kishte thënë Putinit se operacioni do të përfundojë me goditjen e armikut dhe me arritjen e kufirit shtetëror nga forcat ruse”.
Dhjetë ditë më vonë, me më shumë se 100.000 rusë të zhvendosur dhe me Ukrainën që pretendon se kontrollon më shumë se 1000 km katrorë të rajonit të Kurskut, forcat e Moskës janë ende larg arritjes së këtij qëllimi.
Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti