Serbia ka nënshkruar marrëveshje të enjten me kompaninë e Francës, Dassault Aviation, për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd, ku nënshkruan memorandume dhe marrëveshje bashkëpunim. Macroni po qëndron për një vizitë dyditore në Beograd.
Pas takimit, Vuçiç tha se Serbia do t’i zotërojë 12 avionë luftarakë dhe se kontrata për blerjen e tyre kap vlerën e 2.7 miliardë eurove.
“Ky është lajm i madh për ne”, tha Vuçiç në një konferencë të përbashkët me Macronin.
Ai theksoi se Serbia do t’i paguajë dy këste prej 420 milionë eurove në vitet 2024 dhe 2025, por nuk tregoi se kur do të mbërrijnë avionët Rafale në Beograd.
Si Vuçiçi, ashtu edhe Macroni, paralajmëruan më herët para vizitës se njëra nga temat kryesore të takimit të tyre do të ishte blerja e avionëve luftarakë Rafale nga Serbia.
Marrëveshja për blerjen e avionëve ushtarakë francezë u nënshkrua nga ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, dhe nga drejtor ekzekutiv i Dassault, Eric Trapije.