Partia e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO), i ka fituar të dielën zgjedhjet e përgjithshme në Austri për herë të parë, tregojnë rezultatet fillestare.
Rezultatet fillestare i kanë dhënë partisë së udhëhequr nga Herbert Kickl 29.1 për qind të votave, gati tri pikë përqindjeje më shumë se partisë konservatore në pushtet, Partia Popullore Austriake (OVP), e cila thuhet t’i ketë marrë 26.2 për qind të votave.
Megjithatë, FPO-ja ka dështuar ta fitojë shumicën në Parlament për ta formuar vetë Qeverinë e re të Austrisë.
Partia e Lirisë ka qenë në koalicion qeveritar më parë, por partia konservatore ka thënë se nuk do të pranojë të futet në një koalicion qeveritar të udhëhequr nga Kickl.
Rivali kryesor i Kickl, kancelari në largim Karl Nehammer i OVP-së, ka thënë se “është e pamundur të formosh Qeveri me dikë, i cili i adhuron teoritë konspirative”.
Rreth 6.3 milionë austriakë kishin të drejtë vote në një garë të mbizotëruar nga çështjet si emigracioni dhe azili, si dhe inflacioni e lufta në Ukrainë.
Qendra e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 17:00.
Nëse konfirmohet, fitorja e Kicklit mund të jetë e padobishme, pasi 55-vjeçari është figurë polarizuese nën udhëheqjen e të cilit liderët e partisë kanë refuzuar të punojnë.
Ai nuk ka dhënë ndonjë shenjë deri tani se mund të heqë dorë për t’u siguruar që partia e tij ta udhëheqë Qeverinë.
“Çështja është kancelari do emërohet nga radhët e FPO-së”, tha Katherin Stainer-Haemmerle, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Carinthia.
“Nëse ndodh kjo, atëherë më duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të jetë krejtësisht tjetër. Kickl ka thënë shpesh se [kryeministri i Hungarisë] Viktor Orban është shembull për t’u ndjekur për të dhe ai do ta mbajë këtë qëndrim”, shtoi ajo.
Fitorja e FPO-së do ta bëjë Austrinë vendin më të fundit në BE që shënon rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme, pas vendeve si Holanda, Franca dhe Gjermania.
FPO-ja është euroskeptike dhe miqësore ndaj Rusisë, si dhe kritike ndaj islamit dhe është zotuar për rregulla të ashpra ndaj azilkërkuesve./REL