Dima (emër i ndryshuar) nuk e shuan kurrë një cigare derisa ta pijë deri në filtër, duke rrezikuar të djegë gishtat për të përfituar prej saj deri në maksimum. Ai ka kaluar vitin në vijën e frontit të Ukrainës. Ai e di çmimin për një tymosje të mirë. Si komandant batalioni, Dima ishte në krye të rreth 800 burrave që luftuan në disa nga betejat më të ashpra dhe më të përgjakshme të kohëve të fundit pranë Pokrovskut, qyteti strategjik lindor që tani është në prag të rënies në duart e Rusisë.
Shumica e trupave të tij tani janë të vdekur ose të plagosur rëndë ndaj Dima vendosi se kaq ishte mjaft. Ai u largua dhe ka filluar një punë tjetër në ushtri, në një zyrë në Kiev. Duke qëndruar jashtë asaj zyre, duke pirë duhan dhe një kafe të ëmbël, ai i tha CNN se thjesht nuk mund ta përballonte dot më të shikonte më njerëzit e tij të vdisnin.
2 vjet e gjysmë të ofensivës së ashpër të Rusisë kanë shkatërruar shumë njësi ukrainase. Përforcimet ukrainase janë të pakta, duke lënë ushtarët të rraskapitur dhe të demoralizuar. Situata është veçanërisht e rëndë mes njësive të këmbësorisë pranë Pokrovsk, por dhe gjetkë në vijën e frontit lindor, ku Ukraina po përpiqet të ndalë përparimet e Rusisë.
CNN foli me 6 komandantë dhe oficerë që janë ose kanë qenë deri vonë duke luftuar ose mbikëqyrur njësitë në atë zonë. Të gjashtë thanë se dezertimi dhe mosbindja po bëhen një problem i përhapur, veçanërisht mes ushtarëve të sapo-rekrutuar. 4 nga 6 prej tyre, përfshirë Dimën, kanë kërkuar që emrat e tyre të ndryshohen ose të mos thuhen për shkak të natyrës së ndjeshme të temës dhe për shkak se nuk janë të autorizuar të flasin në media.
“Jo të gjithë ushtarët e mobilizuar po largohen nga pozicionet e tyre, por shumica po. Kur vijnë djem të rinj këtu, shohin se sa e vështirë është. Ata shohin shumë dronë të armikut, artileri dhe mortaja” – thotë për CNN një komandant i njësisë që aktualisht po lufton në Pokrovsk. Ai gjithashtu kërkoi të mbetet anonim.
“Shkojnë një herë në pozicione dhe nëse mbijetojnë nuk kthehen më atje. Ata ose largohen nga pozicionet e tyre ose refuzojnë të shkojnë në betejë, ose përpiqen të gjejnë një mënyrë për të lënë ushtrinë” – shtoi ai. Ndryshe nga ata që dolën vullnetarë në fillim të luftës, shumë nga rekrutët e rinj nuk kanë më zgjedhje për t’iu shmangur luftës. Ata janë thirrur nën armë pasi ligji i ri i Ukrainës për mobilizimin hyri në fuqi në pranverë dhe ata nuk mund të largohen derisa qeveria të shpallë çmobilizimin ose nëse përveçse marrin leje të posaçme për ta bërë këtë.
Megjithatë, problemet e disiplinës filluan të dhen qartë shumë përpara kësaj. Ukraina kaloi një problem jashtëzakonisht të vështirë gjatë dimrit dhe pranverës së kaluar. Muajt e vonesës në marrjen e ndihmës ushtarake amerikane çuan në një mungesë kritike të municioneve dhe një rënie të madhe të moralit.
Ushtarë të shumtë i thanë CNN në atë kohë se ata shpesh e gjenin veten në një pozicion të mirë, me një pamje të qartë të armikut që po afrohej, por pa predha artilerie për të gjuajtur. Disa folën për ndjenjën e fajit që nuk ishin në gjendje të siguronin një mbulim adekuat për njësitë e tyre të këmbësorisë.
“Ditët janë të gjata, ata jetojnë në një gropë, gjithë kohës në detyrë dhe nëse nuk qëllojnë dot, rusët kanë një avantazh, i dëgjojnë të përparojnë dhe e dinë që po të kishin qëlluar nuk do të kishte ndodhur”, – thotë Andryi Horetskyi, një oficer ushtarak ukrainas, njësia e të cilit tani po lufton në Chasiv Yar, një tjetër pikë e nxehtë e vijës së frontit lindor.
Serhiy Tsehotskiy, një oficer me Brigadën e 59-të të Këmbësorisë së Motorizuar të Veçantë, i tha CNN se njësia e tij po përpiqet të rakordojë ushtarët brenda dhe jashtë çdo 3-4 ditë. Por dronët, të cilët vetëm janë shtuar në numër gjatë rrjedhës së luftës, mund ta bëjnë atë shumë të rrezikshme, duke i detyruar ushtarët të qëndrojnë më gjatë.
“Rekordi është 20 ditë”- thotë ai. Teksa situata në fushën e betejës është përkeqësuar, një numër në rritje i trupave ka filluar të dorëzohet. Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2024, prokurorët nisën procedime penale kundër pothuajse 19 mijë ushtarëve që ose braktisën detyrat e tyre ose dezertuan. Më shumë se 1 milion ukrainas shërbejnë në forcat e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, megjithëse ky numër përfshin të gjithë, duke përfshirë edhe njerëzit që punojnë në zyra shumë larg vijave të frontit.
Është një numër tronditës dhe me shumë gjasa, i paplotë. Disa komandantë i thanë CNN se shumë oficerë nuk i raportojnë dezertimin dhe mungesat e paautorizuara, duke shpresuar që në vend të kësaj të bindin ushtarët të kthehen vullnetarisht, pa u ndëshkuar. Kjo qasje u bë aq e zakonshme sa Ukraina ndryshoi ligjin për të dekriminalizuar dezertimin dhe mungesën pa leje, nëse kryhen për herë të parë.
Horetskyi i tha CNN se kjo lëvizje kishte kuptim. “Kërcënimet vetëm sa do t’i përkeqësojnë gjërat. Një komandant i zgjuar i vonon kërcënimet, apo edhe i shmang ato” – tha ai. Pokrovsk është bërë epiqendra e luftës në lindjen e Ukrainës. Forcat ruse i janë afruar drejt qytetit për muaj të tërë, por përparimi i tyre është përshpejtuar javët e fundit teksa mbrojtja ukrainase ka filluar të shkërmoqet.
“Gjithçka ndihet njësoj”
Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë se qëllimi i tij është të fitojë kontrollin mbi të gjithë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut të Ukrainës dhe të marrë nën kontroll Pokrovsk, një qendër e rëndësishme ushtarake dhe e furnizimit, duke bërë një hap të madh drejt këtij objektivi.
Qyteti ndodhet në një rrugë kyçe që e lidh atë me qytete të tjera ushtarake në zonë dhe një hekurudhë që e lidh atë me Dnipro. Miniera e fundit e madhe e qymyrit ende nën kontrollin e Kievit është gjithashtu në perëndim të qytetit, duke furnizuar prodhimin e çelikut, një burim i domosdoshëm për luftën. Ushtarët ukrainas në këtë zonë flasin për një pamje të zymtë të situatës. Forcat e Kievit janë qartësisht të pakta, me disa komandantë që vlerësojnë se ka 10 ushtarë rusë për 1 ukrainas.
Por ata gjithashtu duket se po luftojnë me problemet e tyre. Një oficer nga një brigadë që lufton në Pokrovsk, i cili kërkoi që emri i tij të fshihej për arsye sigurie, i tha CNN se komunikimi i dobët midis njësive të ndryshme është një problem kryesor atje. Madje ka pasur raste të trupave që nuk ua raportojnë situatën e plotë të fushëbetejës njësive të tjera nga frika se do t’i bënin të dukeshin keq.
Një komandant batalioni në Donetskun verior tha se krahët e tij u lanë kohët e fundit të ekspozuara ndaj sulmeve ruse pasi ushtarët nga njësitë fqinje braktisën pozicionet e tyre pa i raportuar. Numri i lartë i njësive të ndryshme që Kievi ka dërguar në vijat e frontit lindor ka shkaktuar probleme komunikimi. Njëri tha se bllokuesit e sinjalit ukrainas ndikonin në koordinimin dhe lëshimet e dronëve sepse njësitë nga brigada të ndryshme nuk komunikonin siç duhet.
Një grup xhenierësh apo inxhiniersh luftarakë folën për CNN pranë kufirit midis Ukrainës dhe rajonit Kursk të Rusisë, ku ata janë ridislokuar së fundmi nga jugu i Pokrovsk. Kievi filloi inkursionin e tij të befasishëm në Kursk muajin e kaluar, duke zënë Moskën në befasi dhe duke përparuar me shpejtësi rreth 30 kilometra në territorin rus.
Udhëheqësit e Ukrainës, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, thanë se një nga qëllimet e operacionit ishte parandalimi i sulmeve të mëtejshme në veri të Ukrainës, duke u treguar gjithashtu aleatëve perëndimorë të Kievit se me mbështetjen e duhur, ushtria ukrainase mund të luftojë dhe të fitojë luftën. Operacioni i dha gjithashtu një shtysë të madhe një kombi të rraskapitur. Ukraina ka qenë e gjunjëzuar për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, duke duruar sulme të pamëshirshme.
Por xhenierët nuk ishin shumë të sigurt për strategjinë. Sapo kishin përfunduar një mision të gjatë mbi kufirin, ata u ulën rreth një tavoline jashtë një restoranti të mbyllur afër kufirit, duke pritur që makina e tyre të vinte. Duke pirë duhan dhe duke u përpjekur të qëndronin zgjuar, ata pyesnin pse u dërguan në Kursk kur vija e frontit lindor është rrëmujë.
“Dukej e çuditshme hyrja jonë në Rusi, sepse në këtë luftë ne duhej të mbronim tokën dhe vendin tonë, dhe tani po luftojmë në territorin e një vendi tjetër”, – thotë njëri prej tyre. CNN nuk po bën të ditur identitetet e tyre sepse ata nuk ishin të autorizuar të flisnin me mediat dhe për shkak të natyrës së ndjeshme të fjalëve të tyre.
Të katër kanë luftuar për më shumë se 2 vjet e gjysmë dhe puna e tyre është e vështirë. Si xhenierë, ata kalojnë ditën në vijën e parë të frontit, duke pastruar fushat e minuara, duke përgatitur mbrojtjen dhe duke kryer shpërthime të kontrolluara. Ata mund ta gjejnë veten nën sulm, madje edhe përpara vijës së parë të këmbësorisë, duke tërhequr rreth 40 kilogramë pajisje dhe 4 mina antitank, secila me peshë rreth 10 kg. Duke folur për CNN, ata u shfaqën plotësisht të rraskapitur. Ata nuk kishin pushim midis misionit të tyre në Pokrovsk dhe atij në Kursk.
“Kjo varet nga secili komandant. Disa njësi marrin rotacione dhe kanë kohë pushimi, ndërsa të tjerat thjesht luftojnë pa pushim. I gjithë sistemi nuk është shumë i drejtë”, – thotë një nga ushtarët. Të pyetur nëse përparimet në Kursk u dhanë atyre të njëjtën shpresë si pjesës tjetër të kombit, ata janë skeptikë. “Pas 3 vjetësh nga kjo luftë, gjithçka ndihet njësoj”, – tha një nga burrat për CNN.
“Qasje e kalbur”
Duke folur për CNN, komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi pranoi se morali i ulët është ende një çështje dhe tha se ngritja e tij ishte “një pjesë shumë e rëndësishme” e punës së tij. “Operacioni Kursk… përmirësoi ndjeshëm moralin jo vetëm të ushtrisë, por të gjithë popullsisë ukrainase” – tha ai. Ai tha se kishte shkuar rregullisht në vijën e frontit për t’u takuar me ushtarët atje dhe për të bërë gjithçka që mundej për t’i bërë ata të ndiheshin më mirë.
“Ne e kuptojmë njëri-tjetrin pavarësisht se me kë po flas, qoftë ushtar i zakonshëm, pushkatar, komandant brigade apo komandant batalioni… Unë i di të gjitha problemet që përjetojnë ushtarakët, ushtarët dhe oficerët tanë. Vija e parë është jeta ime”, – tha ai. Horetskyi, një oficer i trajnuar posaçërisht për të ofruar mbështetje morale dhe psikologjike për trupat është pjesë e planit për të rritur moralin.
Gjatë pushimit të fundit në Kiev, Horetskyi i tha CNN se teksa roli i tij ka ekzistuar prej kohësh, por ai merrej kryesisht me dokumentet. Tani ai kalon shumë më tepër kohë me njësinë e tij. Në monotoninë e luftës, çdo shkëputje nga rutina mund të ndihmojë, thotë ai. Kjo mund të përfshijë një larje në një dush të vërtetë, një prerje flokësh ose një notim në një liqen. “Është një gjë kaq e vogël, por i nxjerr ata nga rutina për gjysmë dite, i bën të lumtur dhe mund të kthehen në pozicionet e tyre pak më të relaksuar” – shpjegoi Horetskyi.
Edhe oficerët me përvojë shumëvjeçare po e kanë të vështirë situatën në lindje. Disa, si Dima, po transferohen në detyra larg vijave të para. Ai tha se vendimi i tij për t’u larguar nga fusha e betejës ishte kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve me një komandant të ri. Kjo, gjithashtu, është gjithnjë e më e zakonshme, thanë disa oficerë për CNN. Radhët e batalionit të Dimës u holluan gjithnjë e më shumë, derisa njësia u zhduk.
Ata kurrë nuk morën përforcime të mjaftueshme, thotë Dima, diçka për të cilën ai fajëson plotësisht qeverinë dhe hezitimin e saj për të rekrutuar më shumë njerëz. Batalioni pësoi humbje të dhimbshme vitin e kaluar, duke luftuar në linjat e shumta të frontit përpara se të dërgohej në Pokrovsk pa bërë asnjë pushim.
Dima pa aq shumë nga njerëzit e tij të vrarë dhe të plagosur. Ai u mpi. Megjithatë ai i tha CNN se është i vendosur të kthehet në vijën e parë, por do të bëjë një ndryshim së pari. “Tani kam marrë vendimin se nuk do të lidhem më emocionalisht me njerëzit. Është një qasje e keqe, por është më e arsyeshme” – thotë ai. ©Marrë nga CNN, përshtati në shqip LAPSI.al