Ballina Bota U rekrutua nga Irani, ky është biznesmeni 73-vjeçar që akuzohet për komplot...

U rekrutua nga Irani, ky është biznesmeni 73-vjeçar që akuzohet për komplot për të vrarë Netanyahun

Avokati i biznesmenit 73-vjeçar argumentoi se klienti i tij ka bërë “një gabim gjykimi” dhe po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.

“Ky është një person që ka ndihmuar organet e sigurisë, fëmijët e të cilit kanë shërbyer në forcat e sigurisë dhe që ka bërë një gabim gjykimi për kontekstin e veprimtarisë së tij të biznesit”, tha avokati i biznesmenit 73-vjeçar.

Një zyrtar i lartë i Shin Bet foli për “një rast shumë të rëndë që është dëshmi e përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të rekrutuar shtetas izraelitë për të kryer sulme terroriste në Izrael”. Sipas të njëjtit zyrtar, Teherani po kërkon kryesisht izraelitë me të kaluar kriminale.

Por si do të kryhej atentati?

Sipas agjencisë së sigurisë së brendshme të Izraelit, plani iranian ishte të përdorte një biznesmen izraelit i cili kishte kaluar një kohë të konsiderueshme duke jetuar në Turqi dhe kishte marrëdhënie financiare si me turqit ashtu edhe me iranianët për të kryer atentatet.

Udhëtimi i parë në Iran

Prillin e kaluar, dy turq , Andrei Farouk Aslan dhe Guneid Aslan, dyshohet se kontaktuan biznesmenin izraelit të cilin e ftuan në vendin e tyre, në mënyrë që ai të takohej me një iranian të pasur të quajtur Edi, ku takimi do të zhvillohej në maj.

Por kur dy turqit i thanë biznesmenit izraelit se Edi nuk mund të udhëtonte nga Irani në Turqi, ai pranoi të kontrabandonte një makinë nga Turqia në Iran, ku takoi Edin dhe një pjesëtar të autoriteteve iraniane të sigurisë.

Të njëjtat informacione thonë se biznesmeni nga Izraeli kishte kërkuar fillimisht një milion dollarë para se të ndërmerrte ndonjë aktivitet.

Udhëtimi i dytë në Iran

Kjo u pasua nga një vizitë e dytë e biznesmenit izraelit në Iran, gushtin e kaluar, në të cilën ai dyshohet se ka marrë shumën prej 5000 euro si paradhënie për të filluar përgatitjet për planin.

Në atë udhëtim izraeliti, emri i të cilit nuk u përmend nga Shin Bet, përsëri udhëtoi kontrabandë nga Turqia në Iran, këtë herë me kamion, dhe u takua përveç Edit dhe me zyrtarë të tjerë të sigurisë iraniane.

Në këtë takim, atij dyshohet se iu kërkua të regjistronte lokacione në Izrael, të mblidhte informacione dhe të kërcënonte izraelitët, të cilëve Irani kishte tentuar t’i rekrutonte, por që nuk iu përgjigjën udhëzimeve të Teheranit.

Në të njëjtin takim, biznesmeni izraelit u pyet gjithashtu nëse ai mund të rekrutonte rusë dhe amerikanë për të vrarë disidentët iranianë në Evropë dhe SHBA.

Biznesmeni u akuzua të enjten./vizionplus.tv