Katërvjeçarja Sandhya po flinte jashtë shtëpisë së saj prej balte në Uttar Pradesh të Indisë në natën e 17 gushtit kur problemet energjetike e lanë në terr fshatin e saj.
“Ujqit sulmuan brenda dy minutave pasi është ndalur rryma. Deri atëherë kur e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, ata e kishin marrë vajzën”, kujton nëna e saj, Sunita.
Trupi i Sandhyas u gjet të nesërmen 500 metra larg shtëpisë së saj.
Në fillim të muajit gusht, në fshatin pranë, tetëvjeçari Utkarsh ishte në gjumë kur nëna e tij vërejti ujkun duke iu afruar atij.
“Kafsha doli nga hijet. Unë bërtita: ‘Ma lini rahat djalin’, fqinjët vrapuan dhe ujku iku”, thotë nëna e tij.
Që nga mesprilli, llava e ujqve ka terrorizuar më shumë se 30 fshatra në kufi me Nepalin.
Nëntë fëmijë dhe një i rritur janë marrë dhe janë vrarë nga ujqit.
Viktima më e re në moshë ishte njëvjeçar, ndërkaq më e moshuara gruaja 45-vjeçare. Të paktën 34 të tjerë janë lënduar.
Frika ka mbërthyer krejt fshatrat. Në mungesë të dyerve që mbyllen me çelës, fëmijët po mbahen nëpër shtëpi, ndërkaq burrat po ruajnë gjatë netëve të errëta.
Autoritetet janë duke përdorur dronët dhe kamerat, kanë vendosur edhe kurthe për të frikësuar ujqit.
Deri më tani tre ujq janë zënë dhe janë vendosur në një kopsht zoologjik.
Sulmet ndaj njerëzve janë shumë të rralla, por besohet se ujqit janë infektuar me një sëmundje që ndikon në sistemin nervor të tyre.
Një ujk i infektuar zakonisht kryen shumë sulme pa ngrënë prenë e tij.
Mes viteve 2002-2020 në 21 shtete janë raportuar 489 sulme të ujqve. Rreth 380 persona janë viktima të tyre.