Ballina Bota Harris-Trump ashpërsojnë tonet, sondazhet e fundit: Ish presidenti në avantazh përballe rivales...

Harris-Trump ashpërsojnë tonet, sondazhet e fundit: Ish presidenti në avantazh përballe rivales së tij

Rreth 26.5 milionë njerëz në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë votuar personalisht ose me postë gjatë votimeve të hershme.

Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit.

Kjo ka bërë që kandidatja e demokratëve, Kamala Harris dhe kandidati i republikanëve, Donald Trump  të ashpërsojnë tonet, ndërsa sondazhet tregojnë se diferenca mes tyre është shumë e vogël. Harris  shfrytëzoi rrëfimin e ish-ndihmësit të Trumpit kur ishte president, John Kelly për ta quajtur rivalin e saj fashist dhe me paqëndrueshmëri në rritje.

“Është pabesueshmërisht e rrezikshme që Donald Trump merr si shembull Adolf Hitlerin. Është e qartë nga fjalët e John Kelly-t se Trump është dikush i përshtatet përkufizimit të përgjithshëm të një fashisti”, tha Harris.

Kandidati republikan iu përgjigj me një postim në rrjetin X duke u shprehur se Harris e ka mendjen të deformuar dhe se është një kërcënim për demokracinë.

“Shoqja Kamala Harris e sheh se ajo po humbet dhe po humbet keq. Kështu që tani ajo po e ngre gjithnjë e më shumë retorikën e saj, duke shkuar aq larg sa të më quajë Adolf Hitler dhe çdo gjë tjetër që i vjen në mendjen e saj të deformuar. Ajo është një kërcënim për demokracinë dhe nuk është e përshtatshme për të qenë Presidente e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

Në sondazhet e fundit, Trump është aktualisht në avantazh në 4 nga 7 shtetet e diskutueshme federale duke i marrë Harris-it bastionin e demokrateve, Pensilvaninë. /vizionplus.tv