Ballina Bota Lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, Biden shkon në...

Lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, Biden shkon në Gjermani për bisedime

Presidenti i SHBA, Joe Biden do të udhëtojë sot për në Berlin ku do të diskutojë pushtimin rus të Ukrainës me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, ndërsa Kievi u kërkon aleatëve të tij perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjent për t’i dhënë fund luftimeve.

Konflikti që po zgjerohet me shpejtësi në Lindjen e Mesme pritet gjithashtu të jetë në krye të axhendës në bisedimet mes liderëve pasi përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet kanë ngecur.

Presidenti do të mbërrijë vonë të enjten në Berlin dhe do të zhvillojë bisedime dypalëshe të premten në mëngjes me presidentin dhe kancelarin gjerman.

Biden ka pasur një marrëdhënie të ngushtë pune me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe udhëtimi shihet pjesërisht si një shenjë e këtij partneriteti përpara se presidenti të largohet nga detyra në janar.

Udhëtimi i tij vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy vizitoi kryeqytetet perëndimore për të paraqitur “planin e tij të fitores” për t’i dhënë fund pushtimit më shumë se 2 vjeçar të Rusisë, ndërsa forcat e Moskës përparojnë në lindje.

“Situata në fushën e betejës në Ukrainë, trajektorja e luftës, mënyra se si aleatët mund ta mbështesin më së miri Ukrainën do të jenë në fokus të bisedimeve,” tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

“Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit, integritetit dhe demokracisë së saj. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi të tillë,” i tha Scholz parlamentit gjerman të mërkurën.

“Por kjo është një kohë kur, përveç mbështetjes sonë të qartë për Ukrainën, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të zbuluar se si mund të sigurohemi që kjo luftë të mos vazhdojë përgjithmonë, që të mos vazhdojë të vrasë gra dhe burra.”

Udhëtimi i Biden vjen gjithashtu mes frikës së një përshkallëzimi më të gjerë të luftimeve në Lindjen e Mesme.

Në takim do të diskutohet edhe kjo çështje, tha zyrtari amerikan.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatë të ngushtë të Izraelit, i cili është bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të fushatës së tij ushtarake në enklavën palestineze të Gazës, që autoritetet lokale thonë se ka vrarë më shumë se 42,000 njerëz./vizionplus.tv