Ballina Bota Merr flakë autobusi i shkollës, dyshohet për 25 të vdekur

Merr flakë autobusi i shkollës, dyshohet për 25 të vdekur

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën kur një autobus me studentë ka marrë flakë në Tajlandë.

Sipas gjetjeve paraprake, të paktën 25 persona mendohet se kanë humbur jetën si pasojë e djegies së flakës së autobusit me 38 nxënës dhe 6 mësues në Tajlandë.

Ministri i Transportit të Tajlandës, Suriya Jungrungruengki tha në deklaratën e tij se autobusi me 44 pasagjerë, i cili lëvizte nga rajoni Uthai Thani për një udhëtim shkollor, mori flakë në rrugë.
Ministri i Punëve të Brendshme Anutin Charnvirakul tha gjithashtu se hetimet në vendngjarje po vazhdojnë dhe se ende nuk mund të konfirmojnë numrin e të vdekurve. Charnvirakul tha se ata vlerësuan se 25 persona vdiqën, bazuar në numrin e të mbijetuarve.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, shihej se autobusi ishte përfshirë nga flakët. Informacionet për moshën e nxënësve dhe detaje të tjera nuk janë dhënë ende.

Sipas vlerësimit të oficerit të kërkim-shpëtimit në vendngjarje, zjarri ka filluar kur njëra prej gomave të autobusit ka shpërthyer dhe mjeti është përplasur në barriera.