Ballina Bota SHBA po heton një rrjedhje të supozuar të planeve të klasifikuara izraelite...

SHBA po heton një rrjedhje të supozuar të planeve të klasifikuara izraelite për të sulmuar Iranin

SHBA së shpejti do të hetojë rrjedhjen e dokumenteve shumë të klasifikuara të inteligjencës që përshkruajnë përgatitjet e Izraelit për një sulm hakmarrës kundër Iranit, tha të dielën Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson.

Dokumentet, të datës 15 dhe 16 tetor, u publikuan fillimisht në aplikacionin e mesazheve Telegram të premten, njoftoi redaksia në gjuhën angleze e Radio Evropa e Lirë .

Ato janë të shënuara “top sekret” dhe kanë shenja që tregojnë se ato mund të shihen vetëm nga SHBA dhe anëtarët e tjerë të aleancës Five Eyes – Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe MB, sipas CNN.

Dokumentet duket se përshkruajnë përgatitjet ushtarake izraelite për një sulm ndaj Iranit.

Në një nga dokumentet thuhet se materiali është përpiluar nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeohapësinore e SHBA-së (NGA).

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, një republikan, konfirmoi për CNN se hetimi “është në vazhdim dhe unë do të informohem për këtë brenda disa orësh”.

Pentagoni tha se po hetonte raportet. NGA ende nuk ka komentuar për rastin.

New York Times raportoi se zyrtarët amerikanë “po përpiqen të përcaktojnë burimin e rrjedhjes, i cili përshkruan stërvitjet ushtarake dhe vendosjen e armëve, dhe sa i dëmshëm mund të jetë”.

“Dokumentet, të cilat ofrojnë një interpretim të imazheve satelitore, ofrojnë një pasqyrë të një sulmi të mundshëm izraelit ndaj Iranit në ditët në vijim,” tha New York Times.

Shumë zyrtarë qeveritarë dhe vëzhgues anembanë botës thanë se prisnin që Izraeli të sulmonte Iranin si hakmarrje për një sulm raketor iranian në fillim të këtij muaji – që Teherani tha se ishte vetë hakmarrje për një sulm të mëparshëm nga Izraeli.

Zyrtarët i thanë The New York Times se dokumentet nuk ishin një vlerësim gjithëpërfshirës i asaj që Uashingtoni dinte për planet e Izraelit dhe përfaqësonin vetëm atë që mund të përcaktonin analistët që shikonin imazhet satelitore.