Agjencia për Sigurinë Kombëtare (ANB) e Malit të Zi po verifikon informacionet në lidhje me përgatitjen e një atentati ndaj presidentit të këtij vendi, Jakov Milatoviq, të cilat kohët e fundit janë marrë përmes një burimi nga jashtë dhe për këtë është informuar kabineti i tij dhe Drejtoria e Policisë (UP). Në përgjigjet për pyetjet e bëra nga portali “Vijesti“, Drejtoria e Policisë dhe kabineti i Milatoviqit kanë konfirmuar ekzistencën e këtyre informacioneve, ndërsa ANB-ja nuk ka dhënë përgjigje.
“Kabineti i presidentit të Malit të Zi është njoftuar për verifikimin e vërtetësisë së informacioneve që lidhen me një kërcënim të mundshëm për sigurinë e presidentit të shtetit, Jakov Milatoviq. Nuk kemi marrë detaje të tjera. Jemi njoftuar se autoritetet kompetente e kanë marrë këtë çështje në shqyrtim dhe pritet informacion i mëtejshëm”, përgjigjen nga shërbimi për marrëdhënie me publikun i Milatoviqit. Nga UP-ja thonë se janë në dijeni se Agjencia ka “komunikuar” me Milatoviqin dhe kabinetin e tij në lidhje me informacionet e marra, të cilat “nuk janë nga një burim i drejtpërdrejtë”.
Një prej bashkëbiseduesve të “Vijesti”, i njohur me informacionet e shërbimeve të fshehta malazeze, ka deklaruar se informacionet për planifikimin e mundshëm të atentatit ndaj Milatoviqit kanë arritur në ANB përmes dy burimeve të ndërlidhura nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor. Këto burime pretendojnë se organizatori kryesor është një ish-oficer i lartë i një ushtrie të mëparshme të rajonit, ndërsa ekzekutuesi i drejtpërdrejtë do të ishte një person nga Mali i Zi.
Në gjysmën e parë të korrikut të këtij viti, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, njoftoi institucionet përkatëse shtetërore se kishte marrë informacione për një atentat të mundshëm ndaj tij. Zyra e Gjukanoviqit konfirmoi se ish-kreu i shtetit i kishte marrë këto informacione nga disa zyrtarë ndërkombëtarë të inteligjencës dhe i kishte bërë të njohura për autoritetet përkatëse. ©LAPSI.al