Ballina Top Lajm Aventurat skandaloze të Eminesë, motrës së Mit’hat Frashërit në Stamboll

Aventurat skandaloze të Eminesë, motrës së Mit’hat Frashërit në Stamboll

Me kohën shumë gjëra harrohen apo fshihen pas letrave e dokumenteve të zverdhura. Por jeta e gjithsecilit prej nesh mund të dëshmohet përmes rrëfimeve, kujtimeve e letërkëmbimeve. Emri i Emine Frashërit ngjall kuriozitet për mbiemrin e saj dhe pemën gjenealogjike të familjes (vajza e vetme e Abdyl Frashërit dhe motra e Mit’hat Frashërit). Por ajo është interesante përtej këtij mbiemri. Nëse do të jetonte sot, do të ishte pa dyshim pjesë e kronikave rozë dhe skandaleve të botës shqiptare. E martuar në derën e madhe të Vrionëve të Fierit, Emine Frashëri nuk ishte një grua tipike shqiptare, e dhënë pas familjes dhe që nderin e konsideron si gjënë më të shenjtë… Përkundrazi, nga dokumentet e shfletuara dhe letërkëmbimet e zbuluara në fondin personal të Mit’hat Frashërit në Arkivin Shtetëror, ajo shfaqet si një grua aventuriere, që braktis bashkëshortin dhe vajzat e saj në kërkim të një jete më të bukur në Stamboll. Moskokëçarëse ndaj fjalëve të botës dhe mendësisë shqiptare, ajo bëri zgjedhjet e veta, duke mos pyetur për emrin e familjes apo nderin personal. I shqetësuar nga fati i martesës së vet, Kahreman Vrioni i shkruan herë pas here letra vëllait të gruas së tij, Mit’hat Frashërit. I alarmuar ai i kërkon atij ta kthejë mbrapsht nga Stambolli në Shqipëri dhe deri diku “fajëson” dhe Mit’hatin për një reagim jo aq direkt dhe si duhet ndaj sjelljes së të motrës. “Ecni në Stamboll dhe mereni motrën pran se këtu vendi ësht mbushur me fjalëra kundër saj dhe i lyejn nderin e saj. Sjellja e saj kundre meje dhe mungimi i mëshirës që duhej të kishte për fëmijën më shtrëngon me gjith helmin që më ka mbuluar të mos roj me të”, i shkruan ai Mit’hat Frashërit në një letër me shkrim dore, që mban datën 9 mars të ’26-s. Emine Frashëri ishte vajza e vetme e Abdyl Frashërit, i cili u martua në moshën 35 vjeç, më 1874 me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Ballkëzia dhe Abdyli lindën gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë, Halid, lindi më 1874 dhe vdiq shpejt. Edhe djali i dytë, i cili lindi më 1876, u quajt Halid dhe e pati jetën të shkurtër. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, vetëm djali i tretë, Mit’hati dhe vajza e vetme, që u quajt sipas emrit të gjyshes, Emineja, jetuan. Emineja u martua ne Fier me Kahreman Vrionin, 1889–1955, djalin e Omar pashë Vrionit, 1839-1928. Vrionasit shfaqen në jetën politike e shoqërore të Beratit në shek. XVII, por nga viti 1854 del një degëzim i tyre edhe në Fier. Emineja ose Mimika, siç e thërriste i vëllai, Mit’hat Frashëri, “nga jeta jo e mirë që bënte, u nda nga i shoqi, Kahremani, dhe shkoi në Stamboll, ku punoi edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Turqisë”, vërehet nga vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007. Emine Frashëri pati tri vajza: Selmanë, Lilinë dhe Lulunë.

Fier 9 Mars, ‘26
I dashur Midhat bej
Letrën time D. 1 Mars dije e mora, si dhe një telegramin tuaj disa dit më par që kur isha aty tu luta tepër dhe si erdha këtu prap tu luta me letra që të vinje në Stamboll për dy ditë. Se vajtja juaj atje ishte e vetmja mënyr që mbaronte punën dhe mënyra tjetër ishte që njerzit e saj në Stamboll të mos ta mbanin në për shtypit e tyre se ndenjja ndër ato ësht një pështatje për të. Të më kishe dëgjuar mua nuk do kishin ngjar këto nashti prap ju them e mos ma hidhni posht ecni në Stamboll dhe mereni motrën pran se këtu vendi ësht mbushur me fjalëra kundër saj dhe i lyejn nderin e saj. Sjellja e saj kundre meje dhe mungimi i mëshirës që duhej të kishte për fëmijën më shtrëngon me gjith helmin që më ka mbuluar të mos roj me të. M Këlcyra ishte disa dit më par këtu kuvendova me të do t’ju shkruaj vet. Se për rojtjen me mua nuk duhet ta mendojm, po skandalin që po mer dhen duhet ta ndaloni, fëmija u dogjën për të dhe pa mësim mbetën, në qaf i past. Më vjen turp e nuk dal dot në për rethet familjare nga shkaku i saj. Më shkruani që është von nashti, kur ju thash un që të vinit në Stamboll ishit mjaft shpejt që të pllakoste punën se me letra nuk mbarohet puna. I shkruani Samije (shën red.mbiemri nuk merret vesh mirë: Harsami, Hasani a diçka e ngjashme) ta ndaloj nga gjyqi edhe ecni vet shpejt mereni pran vetehes dhe më lajmëroni mua të dërgoj letrën e çkëputjes me të. […] bijavet ia u dhash kartat, ju puthin duart dhe do ju shkruajn vet. 

Ju përqafoj me mall. Për letrën e Seidit do ti shkruaj …[ shën. Red: emri nuk lexohet qartë]
Firma

 

 

Fondi i Mit’hat Frashërit, nr.35, dosja 135, f.11

Gazetarë amerikanë, shkrimtare udhëtimi, noveliste dhe teoriste politike, Rose Wilder Lane njihet bashkë me Ayn Rand dhe Isabel Paterson si një nga nënat themeluese të lëvizjes libertine amerikane. E para amerikane që vizitoi malet e Shkodrës, kryesisht Dukagjinin, por edhe Matin, Tiranën dhe Durrësin duke kaluar rreth gjashtë muaj atje, Rose Lane pati një miqësi të gjatë dhe duket të ngushtë me Mit’hat Frashërin. Është interesante të lexojmë pjesë prej letërkëmbimit që Rose Lane pati me Mit’hat Frashërin, duke i rrëfyer atij për udhëtimet nëpër Shqipëri, për përpjekjet e saj për mësimin e gjuhës shqipe, idenë e ndërtimit në Shqipëri të Shkollës Shqiptaro-Amerikane të Agrikulturës, si dhe dëshirën për të luftuar malarien në vend, etj. Në këtë dritë, rrëfimi merr vlera të veçanta për të na zbuluar mbi personalitetin e kësaj gruaje “të dashuruar” me Shqipërinë, e cila i thotë Mit’hat Frashërit se ka vendosur të vijë në Shqipëri të ndërtojë shtëpinë e vet, bashkë me një mikeshë të vetën infermiere. Duket se amerikania Lane ka gjetur te Mit’hati një mik të veçantë, të cilit i kërkon herë pas here të pinë kafe së bashku dhe të ndajnë kohën nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Në letra ata flasin edhe për një të njohur të përbashkët, znj. Marquis, por së shumti mbi çështje që kanë të bëjnë me mendimin dhe ndjenja intelektuale dhe atdhetare. Lane e falënderon Mit’hat Frashërin për një gramatikë, që ky i kishte dhuruar, e ndërkohë duket se ka qenë një periudhë kur ky i fundit po kalonte një gjendje jo të mirë shpirtërore. “Letra jote e 21 prillit tingëllon jo e lumtur. Mund ta kuptoj sa shkurajuese të gjitha vitet e luftës dhe shqetësimit duhet të kenë qenë për gjithë shqiptarët e devotshëm dhe patriotë si ti. Kudo në botë qeniet njerëzore janë kaq budallaqe, kaq mizore dhe egoiste. Gramatika që ti më dërgove thoshte: (shën.red. citimi në letrën e R.L është në shqip) “Nuk duhet njeriu të ketë besë mbë mbretër, mbi gra, mbë bura, mbë kafshë me brirë e me thonj”. Dhe ti je poet, i cili nuk duhet të shqetësohet nga gjërat njerëzore, por duhet të jetë i lirë të ndiejë bukurinë”, shkruan Lane në një prej këtyre letrave, të cilat janë thuajse të gjitha të shkruara në anglisht, me ndonjë përjashtim të vogël (ka dhe në frëngjisht, si dhe ndonjë shprehje në shqip). Ne kemi sjellë të përkthyer për lexuesin një pjesë të këtij komunikimi.

Gazetarja amerikane Rose Wilder Lane

Mit’hat Frashëri
Mit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, që doli në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, 14-22.11, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit.

Më 1909, 2.8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914 ishte ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919–1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926– 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”. Në vitet e pushtimit fashist themeloi e drejtoi organizatën e ‘Ballit Kombëtar’. Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mit’hati nuk u martua. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. BLERINA GOCE