Këshilli i Prokurorëve Publikë mori vendim me të cilin konfirmoi vendimin për shkarkimin e prokurorit të lartë publik Mustafa Hajrullahi nga posti, të marrë nga kryeprokurori. Ankesa e Hairullahit u refuzua si e pabazuar, transmeton Portalb.mk.
Këshilli sot mori vendimin me shtatë vota “pro” dhe një “kundër” pas seancës, nga e cila publiku u përjashtua për shkak të mbrojtjes së integritetit të prokurorit.
“Vërtetohet vendimi me të cilin prokurori i lartë publik Mustafa Hajrullahi tërhiqet nga pozita e prokurorit publik gjatë procedurës penale. Vendimi duhet të konfirmohet dhe ankesa të refuzohet si e pabazuar”, tha kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
Keti Petkova konsideron se vendimi duhet të ndryshohet sepse, sipas saj, prokurori publik me vendimin për suspendimin e Hajrullahit, shkel Ligjin për Prokurorinë Publike dhe cenon drejtpërdrejt të drejtat dhe pavarësinë e prokurorëve publikë.
“Prokurori republikan shkel Ligjin për Prokurorinë Publike, cenon drejtpërdrejt të drejtat dhe pavarësinë e prokurorëve publikë. Nga aspekti formal, ekzistimi dhe zhvillimi i procedurës penale nënkupton pezullimin e prokurorit ndaj të cilit zhvillohet procedura, por Këshilli, përveç aspektit formal, duhet të merret edhe me veprimet që i paraprijnë procedurës. Është e papranueshme që shkak për suspendim të jetë akuza penale e mobingut”, tha ajo.
Prokurori i lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi, pas pezullimit nga detyra, në një konferencë për media ka akuzuar se kallëzimi penal kundër tij nga prokurori publik republikan ka tendencë për ta larguar dhe heshtur, si dhe për të frikësuar edhe kolegët e tjerë që veprojnë në përputhje me ligjin, dhe të gjitha me qëllim, siç tha ai, për të marrë vendime të urdhëruara.
Vendimi për suspendimin e Hajrullahit erdhi pasi Prokuroria Themelore Publike Shtip kishte lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tij, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të vazhdueshme “ngacmimi gjatë kryerjes së detyrës” nga neni 143, si dhe vazhdimi i veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 i Kodit Penal.