Ballina Bota NY Times: Trump foli me Zelenskin, por telefonin ia dha Elon Musk-ut

NY Times: Trump foli me Zelenskin, por telefonin ia dha Elon Musk-ut

Gazeta me prestigj botëror, The New York Times, mbrëmjen e sotme shpërndau me “Breaking News” një artikull se Donald Trump, tashmë si President i zgjedhur, kishte komunikuar me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski. Kjo është një çështje kritike e Presidencës së re të Trump, pasi ky i fundit ka premtuar fundin e shpejtë të luftës Rusi-Ukrainë. Premtimi i Trump për të mbyllur menjëherë luftën është parë gjerësisht si një fund me dhimbje për përpjekjen e ukrainasve për të çliruar territoret e pushtuara nga Rusia.

Por The New York Times theksin nuk ia vë bisedës telefonike të shumëpritur Trump-Zelenski, por një personi të tretë që foli me presidentin ukrainas, Elon Musk. Mediat e majta në SHBA e shohin me frikë afrimin e Trump me Musk, që insinuon një pushtet të jashtëzakonshëm që Musk pritet të ketë tani dhe duket se pikërisht kjo temë e ka bërë gjigantin amerikan Times ta shpërndajë artikullin e mbrëmjes së sotme me pompozitet në platformat e saj online.

The New York Times:

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump foli të mërkurën me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe gjatë telefonatës ia dorëzoi telefonin Elon Musk, miliarderit gjithnjë e më me ndikim, i cili ka luajtur një rol kyç në sigurimin e aftësive të komunikimit për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

Nuk është e qartë se çfarë diskutuan të tre burrat ose nëse folën për ndonjë ndryshim në politikën e SHBA-së ndaj Ukrainës pas zgjedhjes së Trump. Musk ishte me Trump në Mar-a-Lago, klubin dhe rezidencën e tij private në Florida, dhe toni i telefonatës u përshkrua si pozitiv, sipas personit të njohur me diskutimin.

Një person i dytë i informuar për telefonatën konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen e zotit Musk.

Një zëdhënës i Trump nuk dha menjëherë një koment për thirrjen.

Donald Trump ka premtuar t’i japë fund të shpejtë konfliktit, një pozicion që shihet gjerësisht se i lejon Rusisë të mbajë territorin që ka pushtuar që nga nisja e ofensivës së Ukrainës në vitin 2022. Gjatë një debati presidencial, Trump nuk pranoi të thoshte se cilën anë ai do të donte të shihte të fitonte luftën dhe ai ka sugjeruar se Zelensky ka marrë shumë ndihmë ushtarake dhe financiare nga administrata Biden.

Musk, i cili është afruar me zotin Trump në muajt e fundit dhe i ka ofruar atij mbështetje financiare dhe logjistike në fushatën presidenciale, si dhe mbështetje të plotë në platformën e tij të mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, ka pasur një rol jetik si furnizues i përpjekjeve të luftës në Ukrainë përmes rrjetit të tij të komunikimit satelitor Starlink.

Musk është një kontraktor i madh i qeverisë amerikane, veçanërisht për Pentagonin, i cili mbështetet shumë në SpaceX për lëshimet në hapësirë. Ai tashmë ka kërkuar që disa nga punonjësit e tij të vendosen në punë qeveritare kur Trump të marrë detyrën, përkthen lapsi.al Gjithashtu Trump ka thënë se dëshiron që Musk të ketë një rol duke rekomanduar mënyra për të ulur shpenzimet e qeverisë.

Pasi Trump u shpall fitues i garës presidenciale herët të mërkurën, Zelensky i kërkoi Trump të ndihmojë në forcimin e Ukrainës kundër agresionit rus.

“Për ne në Ukrainë dhe në mbarë Evropën, ka qenë gjithmonë thelbësore të dëgjojmë fjalët e Presidentit të atëhershëm të 45-të të Shteteve të Bashkuara për ‘paqe përmes forcës’”, shkroi Zelensky në mediat sociale. “Kur ky parim të bëhet politika e Presidentit të 47-të, padyshim që Amerika dhe e gjithë bota do të përfitojnë.” 

Zelensky shtoi: “Nuk është rastësi që Ronald Reagan përmendet kaq shpesh këto ditë, njerëzit duan besim, duan liri, duan një jetë normale. Për ne, kjo do të thotë një jetë pa agresion rus, me një Amerikë të fortë, një Ukrainë të fortë dhe aleatë të fortë.” 

Biseda me Zelenskin ishte një nga dhjetëra telefonatat me liderë të huaj që presidenti i zgjedhur ka mbajtur ditët e fundit.

New York Times, përktheu në shqip ©LAPSI.AL