Ballina Kronika Reagime pas vdekjes së nënës shqiptare në maternitetin e Tivarit

Reagime pas vdekjes së nënës shqiptare në maternitetin e Tivarit

Drita Tafa, një grua 36-vjeçare nga Ulqini i Malit të Zi, humbi jetën pas lindjes së fëmijës në spitalin e qytetit të Barit.

Familjarët e saj pohojnë se shkaku i vdekjes ishte një mjekim i gabuar. Prej disa ditësh, familjarët dhe opinioni publik kërkojnë drejtësi dhe hetime për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.

Çështja është ngritur edhe në parlamentin malazez dhe nga ish-kryeministri Dritan Abazoviq.

Familjarët e të ndjerës, e cila ka lënë pas tre fëmijë jetimë, thonë se Drita Tafa nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë.

Pas presionit nga opinioni publik, një gjykatë malazeze ka urdhëruar zhvarrimin e trupit të saj për kryerjen e autopsisë.

Ndërkohë, mediat e huaja raportojnë se ministri malazez i Shëndetësisë, Vojislav Simun ka iniciuar formimin e një komisioni të jashtëm të përbërë nga ekspertë nga rajoni dhe BE-ja, i cili do të merret me rastin e vdekjes së gruas.

Ai ka deklaruar se hetimet kanë nisur, një autopsi është kryer dhe janë në pritje të raportit.

Megjithatë ende nuk është publikuar një version zyrtar mbi shkaqet e vdekjes të gruas.

Të enjten, 7 nëntor, qindra qytetarë në Ulqin dolën në një marshim proteste, duke kërkuar drejtësi për Drita Tafën/Telegrafi/