Qeveria gjermane përsëriti sot se nuk do t’i dorëzojë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus, pavarësisht se SHBA i ka dhënë dritën jeshile Kievit për të përdorur armët amerikane brenda territorit rus.
Megjithatë, Berlini synon t’i japë Ukrainës 4000 avionë të teknologjisë së fundit pa pilot.
Raketat Taurus mund të përdoren vetëm nëse Gjermania do të merrte përgjegjësinë e pjesshme për kontrollin e objektivave, gjë që do ta bënte atë de facto pjesë të luftës, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë për shtyp në margjinat e samitit të G20 në Rio de Zhaneiro.
“Kjo është diçka për të cilën unë nuk mund dhe nuk dua të marr përgjegjësi”, nënvizoi ai, duke përsëritur se “nuk do të ishte e drejtë” të dërgoheshin raketa të tilla në Kiev.
Scholz prej muajsh ka refuzuar të dorëzojë raketat Taurus, të cilat kanë një rreze prej më shumë se 500 kilometra, duke përmendur rrezikun e përshkallëzimit midis Rusisë dhe Perëndimit.
Më herët të hënën, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius njoftoi se Berlini do t’i dorëzojë Ukrainës 4,000 mjete ajrore të avancuara pa pilot.
“Këta janë drone që mund të çaktivizojnë mbrojtjen elektronike të dronëve kundërshtarë,” ata kanë aftësinë të operojnë në një thellësi prej “30-40 kilometra” brenda territorit rus dhe “të sulmojnë pozicionet luftarake, qendrat logjistike dhe qëllime të tjera”, tha ai.
Dronët janë prodhuar nga Helsing, një kompani evropiane e specializuar në inteligjencën artificiale të mbrojtjes që në shtator nënshkroi një kontratë me ministrinë e mbrojtjes të Ukrainës, sipas gazetës Bild.