Gjithçka ose asgjë. Kjo është ajo ç’ka mund të prodhojë për Shqipërinë ndeshja e fundit e fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, sot ora 20:45 kundër Ukrainës.
Grupi sikurse ishte në letër tejet i ekuilibruar, ka ardhur në fund pikërisht i tillë me ngjeshje të skuadrave dhe me gjithçka të hapur në 90 minutat e fundit për të përcaktuar skuadrat nga vendi i parë deri në katërtën. Çekia është e parë me 8 pikë, Gjeorgjia me 7 së bashku me Shqipërinë dhe në fund Ukraina me 5.
E vetmja gjë që dihet në këtë grup është që Ukraina nuk mund të kapë vendin e parë. Mirëpo ata mund të shmangin vendin e fundit që të zbret në ligën C, ndaj për kuqezinjtë dueli sonte në Tirana nuk është kurrsesi një shëtitje. Kuqezinjtë me një fitore, kombinuar edhe me barazimin në Pragë në duelin Çeki-Gjeorgji do të merrnin vendin e parë, barazimi thuajse nuk do të shërbente për asgjë, ndërsa humbja do të ishte katastrofë pasi do të na zbriste në ligën C.
Të gjithë presin guxim dhe më shumë guxim nga trajneri Silvinjo për formacionin dhe shumë dëshirë dhe uri nga skuadra për të marrë maksimumin përpara një stadium të mbushur plot e përplot që do të vijojë të mbështesë kuqezinjtë sikurse ka bërë gjithmonë.
Me Manaj, Kumbullën, Gjimshitin dhe Brojën sikurse dihet jashtë, të cilëve iu është shtuar edhe Jasir Asani, gjërat komplikohen për trajnerin e përfaqësueses, sepse zgjedhjet janë të pakta në shumë role. Në ndryshim nga ndeshja me Çekinë, rikthehet nga pezullimi Daku i cili do të jetë në majë të sulmit në vend të Indrit Tucit.
Porta dhe mbrojtja nuk ndryshon ashtu sikurse edhe mesfushë nga Ramadanin, Lacin dhe Asllanin edhe pse ky I fundit nuk është në 100%. Bajrami është i sigurt gjithashtu ndërsa vendin e Asanit do të zejë një mes Seferit apo Arbër Hoxhës. Në tribunë kanë përfunduar Andi Hadroj, Adrian Bajrami, Feta Fetai dhe portieri Simon Simoni.
Në krahun tjeter Ukrainë e cila vjen pas pikës së marrë në Gjeorgji ka cilësi në mesfushë dhe sulm ku luajnë lojtarë të klasit botëror si Mydrik, Dovbik dhe Jaremcuk, por ka probleme me Cikangov dhe Jarmolenko, por ka gjithashtu një mbrojtje të brishtë e cila fut shumë ujë.
Në gjashtë ndeshje ne histori me ukrainasit kemi marrë vetëm një fitore, atë të muajit shtator 2 me 1 me gola të Ismajlit dhe Asanit, kemi barazuar në një rast tjetër dhe jemi mundur plot pesë herë. Gjyqtari i takimit do të jetë portugezi Zhoao Pineiro. /vizionplus.tv