Ballina Bota Shtypi europian hidhet në sulm ndaj X-it të Elon Musk

Shtypi europian hidhet në sulm ndaj X-it të Elon Musk

Në Europë, botuesit e lajmeve, mbrojtësit e lirisë së shtypit dhe gazetarët në ditët e kaluara kanë vendosur ti kthejnë shpinën X-it, platformës së mediave sociale të drejtuar nga manjati i teknologjisë dhe ndihmësi i Donald Trump, Elon Musk.

Sfida e re erdhi nga Reporterët pa Kufi, të cilët të mërkurën e çuan X-in në gjykatën franceze për lejimin e lajmeve të rreme. Sfida e OJQ-së tha se X nuk arriti të hiqte një video (të etiketuar në mënyrë të rreme nga BBC) që pretendonte se Reporterët pa Kufi qëndronin pas një studimi mbi besimet naziste midis anëtarëve të ushtrisë ukrainase. Kjo video arriti gati gjysmë milioni shikime nga mesi i shtatorit dhe nuk ishte hequr, pavarësisht 10 raporteve për përmbajtje të paligjshme të paraqitura nga Reporterët pa Kufi.

“Refuzimi i X për të hequr materialin që e di se është i rremë dhe mashtrues, pasi u informua siç duhet nga Reporterët pa Kufi, e bën atë bashkëpunëtor në përhapjen e dezinformatave që qarkullojnë në platformën e tij”, tha drejtori i avokatisë, Antoine Bernard.

Padia e Reporterëve pa Kufi erdhi ndërsa gazeta britanike The Guardian njoftoi të mërkurën se po largohej nga platforma “toksike“, duke përmendur ndikimin e Musk në zgjedhjet në SHBA dhe për shkak të “përmbajtjes shpesh shqetësuese të promovuar ose gjetur në platformë, duke përfshirë teoritë konspirative të së djathtës ekstreme dhe racizmin”. 

Gazeta e përditshme spanjolle La Vanguardia gjithashtu u largua nga X, duke thënë të enjten se X ishte “bërë një platformë për teori konspirative dhe dezinformata”. Dhe botuesit francezë nisën një çështje ligjore të martën duke pretenduar se X nuk do të bisedoje me ta për çështje pagesash, edhe pse e mandaton ligji.

Këto lëvizje vijnë në një kohë të ndjeshme për Europën, pasi ajo shqyrton me mënyrën se si t’i përgjigjet zgjedhjes së Donald Trump. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së u mbështet shumë nga mbështetja financiare dhe publike e Musk gjatë fushatës së tij zgjedhore dhe njoftoi se manjati i teknologjisë do të marrë një rol qeveritar për të zvogëluar aparatin qeveritar.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian e quajti Musk një “promotor të së keqes” muajin e kaluar dhe faqja e tij e mediave sociale X përballet me një çështje gjyqësore të parë në llojin e tij sipas ligjit të moderimit të përmbajtjes, “Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA)”, që heton se si Musk e ktheu X në një strehë për lajme të rreme dhe përmbajtje të dëmshme pasi bleu platformën në vitin 2022 dhe shkatërroi përpjekjet për të moderuar përmbajtjen.

Prapa kritikave të mediave ndaj platformës X qëndron edhe zhgënjimi për mungesën e shpërblimit për trafikun që përmbajtja e lajmeve gjeneron në rrjetet sociale. Rregulloret e të drejtave të autorit në BE lejojnë industrinë e mediave që të kërkojë shpërblim kur përmbajtja e saj shfaqet në rrjetet sociale ose motorët e kërkimit.

Botuesit francezë në veçanti kanë rritur presionin ndaj X pasi nuk arritën të nisin negociatat me X mbi atë se sa shumë u detyrohet platofrma X për përdorimin e përmbajtjes së tyre të mbrojtur nga të drejtat e autorit.

Një gjykatë franceze në maj mbajti anën e organizatave mediatike, duke përfshirë Le Monde, Le Figaro, Le Parisien, dhe AFP, dhe urdhëroi X të zbulonte informacione që do të ndihmonin në llogaritjen e sasisë së parave që po fitonte nga artikujt e tyre.

Platforma “nuk e ka respektuar” këtë vendim deri më sot, “duke demonstruar kështu dëshirën e pandryshueshme për t’iu shmangur detyrimeve të saj ligjore”, thanë kompanitë në një deklaratë të martën, duke njoftuar padinë përpara gjykatës së Parisit.

X nuk iu përgjigj kërkesës së POLITICO-s për koment.

Përshtati në shqip ©LAPSI.AL