Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump ka emëruar Robert F. Kennedy Jr për të udhëhequr Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në administratën e tij të dytë të Shtëpisë së Bardhë. Lajmin për emërimin e dha vetë Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.
Kennedy kishte kandiduar si i pavarur në fushatën presidenciale të vitit 2024 përpara se të tërhiqej dhe të mbështeste Trump. Gjatë fushatës së tij, Kennedy bazoi shumë nga propozimet e tij në pikëpamjet e tij skeptike ndaj vaksinave.
“Për një kohë të gjatë, amerikanët janë shtypur nga komplekset industriale të ushqimit dhe kompanitë e barnave që janë përfshirë në mashtrime dhe dezinformata kur bëhet fjalë për Shëndetin Publik.
Siguria dhe shëndeti i të gjithë amerikanëve është roli më i rëndësishëm i çdo administrate dhe HHS do të luajë një rol të madh për të ndihmuar që të gjithë të mbrohen nga kimikatet e dëmshme, ndotësit, pesticidet, produktet farmaceutike dhe aditivët ushqimorë që kanë kontribuar në kriza dërrmuese shëndetësore në këtë vend.
Z.Kennedy do t’i rivendosë këto agjenci në traditat e Kërkimit Shkencor të Standardit të Artë dhe fenerët e Transparencës, për t’i dhënë fund epidemisë së Sëmundjeve Kronike dhe për ta bërë Amerikën përsëri të madhe dhe të shëndetshme!” – shkroi Trump. ©LAPSI.al