Ballina Bota Ukraina sulmon me raketa Rusinë, Putin miraton dokumentin për përdorimin e armëve...

Ukraina sulmon me raketa Rusinë, Putin miraton dokumentin për përdorimin e armëve bërthamore

“Ukraina ka lëshuar raketa me rreze të gjatë  ATACMS, në rajonin Bryansk  të Rusisë”.

Kështu ka bërë me dije ministria ruse e Mbrojtjes por nga Kievi nuk ka ende një reagim zyrtar.

Sipas Moskës, Ukraina lëshoi ​​gjashtë raketa, pesë nga të cilat  janë rrëzuar nga  nga mbrojtja ajrore.

Deri më tani nuk  raportohet per viktima apo të lënduar.

Sulmi vjen vetem dy ditë pasi administrata Biden i dha dritën jeshile Ukrainës që të përdorte armët me rreze të gjatë, në mënyrë që të depërtonte në thellësi të territorit rus.

Sakaq më herët kreu i Kremlinit , Vladimir Putin miratoi një dokument  i cili thekson se Moska  mund ta shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse sulmohet  nga një vend  i mbështetur  nga një fuqi bërthamore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov theksoi  se procedura bërthamore duhet të bëhet objekt i analizave të thella si në vend ashtu edhe jashtë tij.

Ai theksoi se  Federata Ruse e konsideron këtë hap  si një masë ekstreme, por përditësimi i dokumentit  ishte i nevojshëm  dhe në  përputhje me situatën aktuale politike.

Dokumenti specifikon se një sulm me avionë luftarakë, dronë apo raketa konvencionale mund të konsiderohet si kërcënim i tillë. Kremlini thotë se çdo agresion kundër Rusisë nga një shtet i cili është anëtar i një koalicioni do të konsiderohet nga Moska sulm i përbashkët. Tashmë mbetet për tu parë  se cfarë veprimi do të ndërrmarrë Rusia nëse  këto raportime  për përdorimin e  raketave nga Ukraina do të vërtetohen.

Po ashtu edhe Britania e Madhe pritet t’i japë Ukrainës raketa Storm Shadoë për të goditur brenda Rusisë. Lufta në Ukrainë, e cila nisi në shkurt 2022, ka nxitur konfrontimin më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit prej krizës raketore të Kubës më 1962./vizionplus.tv