Një tjetër grua u zhduk në Maqedoni: Kërkohet Lidija nga Shkupi!
Nënë e përkushtuar, bashkëshorte, grua e punësuar, pa probleme shëndetësore, kështu e përshkruan familja Lidija Trajkovska-n (43 vjeçare), e cila ka dalë nga shtëpia rreth orës pesë të mëngjesit të sotëm dhe i ka humbur gjurmët.
Ajo nuk ka marrë me vete asnjë dokument personal, as celularin. Familjarët e saj, të shqetësuar nga rasti, bëjnë thirrje për ndihmë nga publiku për gjetjen e Lidia-s.
– Asnjëherë nuk na ka ndodhur një gjë e këtillë, të gjithë jemi të tronditur dhe kërkojmë ndihmë për të gjetur nënën tonë. Ajo është një grua familjare, e punësuar në mishtoren e Tinex-it, ka dalë nga shtëpia rreth pesë të mëngjesit, ndërsa motra dhe babai im ishin ende duke fjetur.
Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, kjo është një tronditje e madhe për të gjithë ne dhe menjëherë e kemi denoncuar rastin në polici.
Të dhënat e fundit për lëvizjen e saj i kemi nga pamjet e kamerave, jetojmë në Jurumleri dhe ajo është parë në stacionin e autobusëve të Jurumlerit.
Ajo ka veshur një xhup të gjelbër me vija të zeza, xhinse të bardha dhe çizme të zeza.
Bëhet fjalë për një femër të dobët dhe të shkurtër dhe çdo informacion është i mirëpritur, sqaron për “Focus” vajza e saj Martina.
Dhjetëra qytetarë rezultojnë të zhdukur në vend, e disa prej vitesh janë zhdukur pa nam e pa nishan.
I tillë është rasti me Zllata Jankovën (45) nga Shën Nikolla, e zhdukur në qershor të këtij viti, Violeta Kërstevska – Janevska (61) nga Shkupi, e zhdukur në mars të vitit 2022, Sabina Sabedinovska (32) nga Kumanova e zhdukur dy vjet më pare së bashku me vajzën e saj Elif (7), Marija Bërzakova (30) nga Bosilova, e zhdukur katër vjet më parë, por edhe shumë persona të tjerë, prej të cilëve vetëm një pjesë janë publikuar në faqen e personave të zhdukur të Ministrisë së Brendshme.
Nëse dikush e vë re ose ka ndonjë informacion për Lidian, duhet të denoncojë në polici ose në familjen në numrin e telefonit 071/345-208./Focus/TetovaNews