Ish-presidenti sirian Bashar Alasad ka reaguar për herë të parë pas rënies së regjimit të tij një javë më parë.
Për mediat ruse, dikatori sirian ka thënë se nuk kishte ndërmend të arratisej nga vendi përpara se të evakuohej nga forcat ruse.
“Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk kam menduar të tërhiqem apo të kërkoja strehim, as nuk është bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo parti. E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”, tha Alasad.
Asad ka folur edhe për orët e fundit para se të largohej nga vendi.
“Me mbërritjen në bazën ajrore të Rusisë atë mëngjes, u bë e qartë se forcat tona ishin tërhequr plotësisht nga të gjitha linjat e betejës dhe se pozicionet e fundit të ushtrisë kishin rënë. Baza ajrore ishte nën sulm të intensifikuar nga ajri. Pa asnjë mjet të mundshëm për të lënë bazën, Moska kërkoi që komanda e bazës të organizojë një evakuim të menjëhershëm në Rusi në mbrëmjen e së dielës, 8 dhjetor”, shtoi ai.
Vendodhja e saktë e tij dhe familjarëve nuk dihet ndërsa Kremlini ka deklaruar se ka vendosur kontakte me forcat që kanë marrë tashmë kontrollin e Sirisë.
BE është gjithashtu në proces bisedimesh me liderët e rinj në Damask. Kryediplomatja e bllokut Kaja Kallas u shpreh këtë të hënë se i dërguari i unionit për Sirinë do të shkonte në vend për të biseduar me udhëheqësit e rinj.