Poshtë një boshti që u zhyt më shumë se 2 kilometra nën tokë në zemrën e vjetër të minierave të Afrikës së Jugut, jeta e një njeriu varej në fije të perit.
Pas javësh pune – i bllokuar dhe i uritur nga krerët e dhunshëm të bandave – në minierën e braktisur të arit Buffelsfontein në Stilfontein, ai mezi u kap pas një rrotulle të improvizuar që e ngjiti në sipërfaqe edhe këtë herë. Mbi tokë, dhjetëra burra u sforcuan nën diellin shkëlqyes të mëngjesit, duke e ngritur minatorin centimetër pas centimetri.
Burri nga Mozambiku, i cili nuk ishte në gjendje të thoshte emrin pasi u rrëzua në tokë, ishte i mbijetuari më i fundit i një përplasjeje që ka mbërthyer Afrikën e Jugut për javë të tëra, duke ngritur policinë kundër organizatave kriminale brutale që drejtojnë rrjetet e minatorëve të dëshpëruar dhe të varfër, të njohur si zama zamas.
Përplasja ka zbuluar shkallën e infiltrimit kriminal në industrinë e minierave, një gur themeli i ekonomisë më të industrializuar të Afrikës.
Afrika e Jugut ishte dikur prodhuesi më i madh i arit në botë, por infrastruktura e vjetër dhe keqqeverisja kanë detyruar shumë operatorë tregtarë të mbyllen. Kjo ka lënë deri në 6,000 miniera të pashfrytëzuara, të cilat, me çmimet e arit që kanë arritur nivele rekord këtë vit, janë bërë vende të luftrave në terren midis bandave famëkeqe të dhunshme që konkurrojnë për të kontrabanduar metalin e çmuar.
Qeveria e koalicionit miqësor ndaj biznesit e presidentit Cyril Ramaphosa ka nisur një goditje si pjesë e një plani për të ringjallur investimet në rënie në miniera, të cilat përbëjnë 6.2 për qind të PBB-së së vendit. Por, pavarësisht zbatimit të reformave të tregut në energjinë elektrike dhe ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme të energjisë, që kishin lulëzuar prej vitesh duke dëmtuar ekonominë, shpresat për spastrimin e industrisë së minierave janë përballur me realitetet e vështira të një ekonomie ku një në tre persona janë të papunë.
Lufta e nëndheshme për të ardhmen e industrisë minerare të vendit “do përkeqësohet para se të përmirësohet”, tha një këshilltar sigurie që punon për galeri shumëkombëshe minierash.
“Është bërë një lloj kryengritjeje dhe qeveria nuk është marrë me të për 20 vjet.”
Mijëra zama zama, kanë vërshuar nga Lesoto, Zambia dhe Mozambiku, vende fqinje të cilat gjatë aparteidit siguruan një fuqi punëtore të madhe dhe të brutalizuar migrante për nxjerrjen e metaleve të çmuara. Udhëheqësit e bandave i rekrutojnë ose i detyrojnë këta burra të punojnë në guroret e papërdorura, duke i detyruar ata të kalojnë javë ose muaj brenda galerive para se të lejohen të dalin në sipërfaqe.
Rreth 25 ton ar nga Afrika e Jugut besohet se kontrabandohen në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicra çdo vit, sipas një raporti të Këshillit Botëror të Arit.
Zyrtarët thonë se “Operacioni Vala Umgodi”, ose “Mbyllja e Puseve”, do ndihmojë në çrrënjosjen e një tregu të zi që i heq ekonomisë rreth 1 miliard dollarë në vit, sipas disa vlerësimeve. Por në qytetin e përgjumur të Stilfontein, 160 km në perëndim të Johanesburgut, ngërçi vë në dukje vështirësitë që janë përpara.
Që nga muaji i kaluar, oficerët e policisë kanë krijuar bllokada rreth Buffelsfontein, një ish-minierë e prodhimit të arit dhe uraniumit, ku zama zamat kanë funksionuar prej kohësh. Oficerët e armatosur rëndë u mblodhën rreth çdo pusi dalës, më pas prenë litarët e përdorur për të transportuar ushqim dhe ujë.
Qëllimi ishte të detyroheshin krerët e bandave që të lejonin minatorët të ridalin në sipërfaqe, siç e quajti në mënyrë kontroverse një ministër. Deri tani, më shumë se 850 minatorë të shtangur dhe të trullosur janë rishfaqur nga Buffelsfontein, mes më shumë se 12,000 minatorëve të shpëtuar gjithsej nga të gjitha galeritë. Ata që nuk kishin nevojë të shtroheshin në spital u arrestuan menjëherë nga autoritetet. Qindra do përballen me akuza në gjykata.
Kompanitë private janë zotuar gjithashtu të bëjnë goditjet e tyre, pasi galeritë nga minierat e braktisura ndonjëherë lidhen me të tjera që ende përdoren nga operatorët tregtarë.
“Mjedisi operativ në rajonin e Afrikës Jugore mbetet sfidues nga perspektiva e sigurisë dhe krimit,” tha Sibanye-Stillëater, një nga kompanitë më të mëdha që ka në zotërim miniera në Afrikën e Jugut, në një përditësim mbi luftën kundër minierave të paligjshme në fillim të këtij viti.
Por taktikat e rrethimit të autoriteteve “dorëzohuni ose vdisni nga uria” ka zemëruar grupet e të drejtave, të cilët kanë rindezur një debat rreth papunësisë dhe ksenofobisë në Afrikën e Jugut dhe kanë kërkuar të detyrojnë autoritetet të lejojnë dërgimin e furnizimeve emergjente për minatorët. Së paku katër grupe të shoqërisë civile janë vendosur gjithashtu pranë kamionëve të policisë jashtë galerive.
Louis Nel, i cili ka punuar si këshilltar sigurie në industri, tha se drejtuesit e bandave nën tokë ishin të armatosur me kallashnikovë dhe pajisje shpërthyese të improvizuara, duke e bërë të pamundur çdo përpjekje për zyrtarët – ose vetë minatorët – të hynin ose të dilnin pa leje. Ai tha se bandat po lejonin qëllimisht vetëm një rrjedhë minatorësh të arratiseshin në mënyrë që të manipulonin ndjesitë e publikut.
“Ata kalojnë muaj me radhë atje poshtë, kështu që e njohin vendin si në pëllëmbë të dorës,” tha ai. “Këtë gjë të lirimit të vetëm një minatory herë pas here, udhëheqësit e bandës po e bëjnë për të fituar simpatinë e publikut.”
David Van Wyk, studiuesi kryesor në Fondacionin Bench Marks, një grup i të drejtave civile me bazë në Johanesburg që ka punuar me zama zamas, tha se zyrtarë të rangut të lartë në Afrikën e Jugut dhe vendet fqinje ishin gjithashtu të implikuar në organizatat kriminale.
Zama zamat gjithashtu ndonjëherë afrohen për të bashkëpunuar me operatorët ligjorë dhe rafinerët në mënyrë që të lëvizin metalin e çmuar në një mënyrë që mundëson evazionin fiskal, tha ai.
“Ajo që po ndodh në Stilfontein është se po luftohet kundër këmbësorisë. Ajo që duhet bërë është të ndiqet gjurma e parave,” shtoi van Wyk.
Në qendër të qytetit, me lëndina të rregulluara të rrethuara dhe shtëpizat me tulla të kuqe, disa banorë u hutuan nga operacionet e policisë.
“Ne i kemi parë udhëheqësit e bandave që qarkullonin me makinat e tyre luksoze,” tha një pronar dyqani.
“Ata kanë qenë atje për vite, kështu që pse gjithë kjo bujë tani? Ndoshta dikush lart nuk po merr rryshfetet e veta.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani