Ballina Bota ENI ndez superkompjuterin 100 milionë eurosh në garën botërore për burimet e...

ENI ndez superkompjuterin 100 milionë eurosh në garën botërore për burimet e naftës dhe gazit

Gjiganti italian energjetik Eni ndezi superkompjuterin më të fuqishëm në botë jashtë SHBA-së, ndërsa garon me rivalët për të ndërtuar infrastrukturën teknologjike të nevojshme për të eksploruar më mirë burimet e reja të naftës dhe gazit.

E ndërtuar me një kosto prej më shumë se 100 milionë eurosh, kompjuteri i ri i Eni, HPC6, do ndizet në qytetin e vogël italian Ferrera Erbognone, me 1,140 banorë. Ai përmban pothuajse 14,000 njësi përpunimi grafik AMD: çipa me fuqi të lartë që përdoren për të kryer llogaritje të ndërlikuara dhe për të drejtuar procese të inteligjencës artificiale.

Superkompjuteri zuri vendin e pestë në listën vjetore të kompjuterëve më të shpejtë në botë muajin e kaluar me një shpejtësi standarde prej 477 petaflops për sekondë, pas tre kompjuterëve kërkimorë amerikan dhe kompjuterit Eagle të Microsoft-it.

Detyra e tij do jetë të grumbullojë të dhëna për të zbuluar rezervuarë të rinj të naftës dhe gazit, si dhe të kryejë llogaritjet për të çuar përpara energjinë e pastër.

Lorenzo Fiorillo, kreu i departamentit të kërkimit dhe dixhitalit të Eni, tha se kompjuteri ishte pothuajse nëntë herë më i shpejtë se paraardhësi i tij dhe se Eni ishte një nga kompanitë e pakta të naftës që ka vijuar të ndërtojë komojuterët e vet, në vend që të kalojë në blerjen e shërbimeve të informatikës “cloud”.

“Shumë nga kompanitë e tjera e kuptuan se do ishte më efikase të merrnin me qira superkompjuterin e dikujt tjetër,” tha Rob West, një analist në Thunder Said Energy, duke shtuar se Exxon, Shell dhe Chevron kishin përdorur superkompjuterë në Qendrën Kombëtare të SHBA për Superkompjuterat dhe Aplikacionet si dhe Laboratori Kombëtar të Los Alamos.

Divizioni i superkompjuterëve të Eni e ka ndihmuar kompaninë italiane të ndriçojë reputacionin e saj për kërkimin e naftës dhe gazit.

“Ne ishim në gjendje të gjenim naftë në vende ku nuk pamë asgjë,” tha Fiorillo. Ai vuri në dukje se përveç fuqisë kompjuterike, Eni kishte ndërtuar aftësi të konsiderueshme në kodimin e algoritmeve për ekzekutimin e HPC6.

“Ne filluam të prodhojmë kodin tonë në vitet 1980,” tha Fiorillo.

“Ne kemi përdorur superkompjuterin në të gjitha zbulimet tona të fundit,” shtoi ai, duke thënë se fuqia kompjuterike ekstreme e ndihmoi Eni të lundronte në të ashtuquajturën shtresë parakripore, një seri formacionesh gjeologjike nën shtresa të trasha kripe në të dy anët e jugut e Atlantikut.

“Algoritmet tona mund të krijojnë pamje të qarta se ku është nafta dhe sa është sasia” tha ai.

Ndërsa kompanitë e naftës kanë përdorur superkompjuterë për të interpretuar të dhënat sizmike dhe për të modeluar sjelljen e rezervuarëve të naftës dhe gazit për vite me rradhë, ato tani po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificialepër të bërë gjithçka, nga krijimi i binjakëve dixhitalë të aseteve të tyre deri te prodhimi i qindra mundësive të ndryshme për mënyrën e shpimit në fushat e naftës dhe ku të vendosen puset e tyre.

Fiorillo tha se ekipi i tij hulumtues tani shpenzon 70 për qind të kohës së tij për energjinë e pastër dhe se HPC6 do përdoret për të hulumtuar se si të menaxhohen retë plazmatike në reaktorët e shkrirjes bërthamore për zbulimin e materialeve të reja; për të rritur efikasitetin e pajisjeve që kapin emetimet e karbonit; dhe për të zbuluar se si të bëhen panele diellore më të mira.

Kompania nuk pranoi të komentojë nëse superkompjuterët së shpejti do errësohen nga sistemet gjigante kompjuterike, siç është qendra e të dhënave Colossus e krijuar nga Elon Musk në Memphis, SHBA. Por ajo tha se qendra e saj e të dhënave në Ferrera Erbognone, pak më shumë se 40 kilometra në jugperëndim të Milanos, ishte “e pozicionuar mirë për zgjerimet e ardhshme”.