Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Kështu ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski i pyetur për seancën e Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për Ligjin e Gjuhëve, transmeton Portalb.mk.
Mickoski ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim përpiqet të krijojë ndasi dhe tensione etnike.
“BDI për 20 vjet ka emëruar gjyqtarë kushtetues, madje ata e dinë se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Pastaj do të dalin në publik dhe do të thonë: Ja, ne ushtruam presion, prandaj nuk ndodhi asgjë. Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë, ka procedura, seanca përgatitore, e kështu me radhë, por ata sërish po i keqpërdorin shqiptarët, maqedonasit, duke i munduar me përpjekje për ndarje dhe për të tërhequr vëmendjen”, tha Mickoski.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Gjuhëve ka hapur debat dhe reagime të mëdha në publik.
Mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapure cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut lidhur me Ligjin për Gjuhët për të cilin pritet gjykata të vendosë me 11 dhjetor, ata kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, vendimet arbitrare sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.
Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri u ka dërguar letër ndërkombëtarëve. Këtë herë në letrën e drejtuar ndaj SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, BDI-ja kërkon nga këta të fundit që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë që të parandalojnë vendimet e mundshme për shfuqizimin e neneve të Ligjit për Gjuhët.
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari tha se kjo që bën Gjykata Kushtetuese është jashtë logjike dhe jashtë çdo norme njerëzore. Sipas tij, nëse merret një vendim që duhet të revidohet komplet ligji, kjo do të jetë situatë jo e mirë për shqiptarët por edhe për tërë vendin.
Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ndërkaq është paralajmëruar se gjyqtarët shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë nëkëtë seancë.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.